×
  • Lajme
  • Lajme

    Lëvdatë entuziaste vetes, Vuçiç: Fjala ime në OKB u çmua dy herë më shumë se e Zelensky-t

    Reporteri
    23 Shtator 2022 | 10:06
    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

    Autor: Xhezair Dashi


    Me fjalimin e tij disa minutësh në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka bërë panegjirik vetes duke pretenduar se fjalët e tij bënë krerë ndërkombëtarë shtetesh t’i afrohen e ta urojnë “dy herë më shumë se Volodymyr Zelensky-n”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Përveç këtij “urimi dyfish më të madh”, presidenti serb, ka thënë se edhe dëgjueshmëria/shikueshmëria e fjalimit të tij “ka qenë dy herë më e madhe se e Zelensky-t”.

    Për ta përmbledhur në disa fjalë fjalimin e Vuçiç në OKB, ai e shtroi një pyetje të paqëndrueshme me analogji e paralele që s’tejkalojnë as veten. “Ku dallon integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës me atë të Serbisë”, ishte pyetja, që, sipas tij, i paska goditur me admirin dëgjuesit e tij.

    “Fjalimi im tërhoqi aq shumë vëmendje sepse ishte ndryshe. Sepse dikush aq i vogël guxoi të tregojë të vërtetën. M’u afruan dje krerë të misioneve të disa prej shteteve më të rëndësishme për të më uruar. Ata dolën jashtë korridori për të më pritur, për të më thënë se një fjalim të tillë nuk e kanë dëgjuar qe 10 vite. Edhe për nga guximi edhe përnga gjithçka tjetër. Unë vetëm thash atë që mendoj”, u shpreh Aleksandër Vuçiç para gazetarëve në New York.

    Fjalimin e tij, e cila thënë më së buti ishte skandal diplomatik, në një mbledhje ku fokusi është një Ukrainë e pushtuar brutalisht dhe agresivisht e nën kërcënim të një lufte bërthamore nga Vladimir Putin, ai e quajti në “të mirën e Serbisë”.

    Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij përmes video lidhjes u dërgoi mesazh të gjithë shteteve të ashtuquajtura “neutrale” se neutraliteti i tyre është në fakt neutralitet në anën e agresorit. Madje, edhe profesorë universitarl të Universitetit të Beogradit e shkencëtarë politikë serbë, e quajtën “shuplakë ndaj Serbisë” fjalimin e Zelensky-t.

    “Mbrojtëm pozicionin tonë më me pasion dhe me argumente të mirëmenduara dhe u dëshmuam të gjithëve se s’jemi një grusht tërshërë që mund t’i ftojnë sepse ata qenkan të mëdhenj e ne të  vogël”, u shpreh presidenti serb.

    “Mendoj se i di relacionet në komunitetin ndërkombëtar mjaftueshëm mirë dhe ia dola të them gjithçka, dhe kjo mbeti pa kritikë publike sepse konteksti u zgjodh me kujdes, fjalët i zgjodha në aso mënyre që s’mund të mohosh faktet. Prezantova fakte, dhe jo pikëpamje politike. Disa nuk janë të lumtur për këtë. E imja është që të punojë për interesat e Serbisë dhe qytetarëve serbë”, tha Vuçiç.

    Çfarë tha ai në fjalimin e tij?

    Me mantrën e tij të zakonshme, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, më seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, iu drejtua të pranishmëve me pyetjen se “ku qëndron dallimi mes integritetit territorial të Ukrainës me atë të Serbisë”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Referuar intervenimit humanitar të NATO-s në vitit 1999 kundër dëbimin me forcë, spastrimit etnik dhe politikave gjenocidiale të ish-presidentit Slobodan Millosheviç kundër shqiptarëve të Kosovës, Vuçiç u shpreh se edhe Serbisë “iu shkel” integriteti territorial, por se për këtë gjë “askush nuk dëshiron të dëgjojë”.

    “As Antonio Gueterres e askush nga OKB nuk duhet fajësuar për këtë, por forcat që nuk llogarisin asgjë tjetër përveç kënaqjes së qëllimeve të tyre politike, ekonomike, dhe fatëkeqësisht ushtarake”, u shpreh në foltoren e OKB-së, Aleksandër Vuçiç, raportoi televizioni N1.

    Për intervenimim e asokohe të 19 shteteve anëtare të NATO-s mbi caqet serbe-jugosllave, Vuçiç tha se “Serbia u sulmua pa sulmuar ndonjë vend tjetër sovran”, dhe shtoi se “për këtë gjë heshtet”.

    “Ne po kërkojmë përgjigje të qartë nga një pyetje që vazhdimisht ua kam shtruar bashkëbiseduesve të mi me vite: cili është dallimi mes sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, e cila u shkel vulgarisht. Kurrë s’kam pranuar përgjigje racionale rreth kësaj”, u shpreh ai.

    NATO, tha Vuçiç, bombardoi Serbinë pa miratim të Këshillit të Sigurimit.

    Gjithashtu, ai falënderoi vendet mosnjohëse të Kosovës në OKB, përçka u shpreh se ishte i inkurajuar “nga fakti se numri i vendeve që mbështesin pozicionin e Serbisë është rritur në mes të seancave”, dhe shtoi se “ky është një trend që duhet të vazhdojë”.

    “Serbia, dhe unë si president i saj, me durim dhe vullnet të mirë kërkojmë kompromis në lidhje me Kosovën, nën lehtësimin e BE-së dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Është proces i vështirë, ka zgjatur qe 10 vite, por ne nuk shohim tjetër alternativë. Është më mirë të negociojmë 100 vite, se sa të luftojmë 1 ditë. Jam i bindur se do të arrijmë zgjidhje të pranueshme, të bazuar në kompromis, sepse është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë”.

    Presidenti serb tha se Serbia “kurrë nuk mendon” t’i kthehet konflikteve të viteve të 90’ta, teksa shtoi se “Ballkani nuk mund t’i bëjë ballë një konflikti tjetër”.

    Aleksandër Vuçiç gjithashtu tha se si shembull “ripajtimi” mund të shërbejë shembulli i marrëdhënie mes Serbisë dhe Shqipëroisë. “Serbia dhe Shqipëria, për shembull, sot gëzojnë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre ndër shekujsh në historinë e Gadishullit Ballkanik”./Reporteri.net/

    “Zelensky i ra shuplakë Serbisë kur dënoi neutralitetin e shteteve” – Profesori serb komenton fjalimin e Vuçiçit në OKB

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!