×
  • Lajme
  • Lajme

    Ligji i Pagave në Sektorin Publik, Qeveria cakton këtë muaj vlerën e koeficientit

    Reporteri
    05 Janar 2023 | 12:59

    Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë muajit janar do të caktohet vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se totali i përgjithshëm i buxhetit për pagat në këtë sektor do të jetë 745 milionë euro.

    “Me ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro. Ndërkaq, vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tëresinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha Kryeziu.

    Të mërkurën e 4 janarit, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin e Pagave për Sektorin Publik.

    Këtë e konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net, këshilltari për media i zyres së Presidentes, Bekim Kupina.

    “Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, tha Kupina.

    Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë më 22 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

    Projektligji i cili pati nxitur reagime për muaj me radhë, mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, ku pro tij votuan 63 deputetë, ndërsa vota kundër nuk kishte pasur, por një abstenim nga Kryeparlamentari Konjufca.

    Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u deklaruan që nuk e votojnë këtë projektligj për shkak se ndër të tjera ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit që përcakton pagat.

    Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti Bekim Haxhiu kishte thënë se në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kur po trajtohej ligji pagave, u shpërfillën amendamentet dhe kërkesat e sindikatave që marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

    Sipas draft ligjit, ky ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!