Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se gratë dhe vajzat përbëjnë shumicën dërrmuese të viktimave të regjistruara të dhunës në familje në Kosovë.
Në kuadër të prezantimit të raportit analitik të Databazës Kombëtare për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, Gërvalla ka bërë të ditur se në këtë databazë janë përfshirë mbi 37 mijë të dhëna administrative nga institucionet që merren me trajtimin e rasteve të dhunës.
Sipas saj, 71.6 për qind e viktimave të regjistruara janë gra dhe vajza, ndërsa 86 për qind e kryesve të regjistruar të dhunës janë burra dhe djem.
“Kjo duhet të pasqyrohet në përmbajtjen e politikave tona: në mbrojtjen e grave dhe vajzave, në trajtimin e varësisë ekonomike dhe kontrollit brenda familjes, por edhe në punën parandaluese me burrat dhe djemtë”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka shtuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës duhet të shtrihet edhe te personat që ushtrojnë dhunë dhe te mjediset ku sjellja e dhunshme tolerohet.
Gërvalla ka veçuar edhe gjendjen ekonomike të viktimave që përfundojnë në strehimore. Sipas të dhënave të databazës, 71.4 për qind e viktimave të regjistruara në strehimore janë të papuna.
“Çfarë mundësish ka një person për të ndërtuar një jetë të pavarur pasi largohet nga dhuna? Përgjigjja përfshin banimin, të ardhurat, punësimin dhe mbështetjen për fëmijët”, ka thënë ajo.
Ministrja ka vlerësuar se databaza, e cila bashkon të dhëna nga policia, prokuroritë, gjykatat, shërbimet sociale, strehimoret dhe institucionet e tjera, do të mundësojë hartimin e politikave më të sakta dhe një reagim më efektiv institucional.
Postimi i plotë: