×
  • Lajme
  • Lajme

    Lista Serbe lëshohet në konspiracione: U kthyem në Kuvend ta parandalojmë Kurtin të mos e ndërrojë Kushtetutën

    Reporteri
    17 Nëntor 2022 | 11:50
    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç

    Nëntë deputetë të Listës Serbe u ribetuan në Kuvendin e Kosovës, ndërsa shpjegimi i këtij subjekti politik është se kjo kthesë “ishte vendim strategjik” për, siç pretendojnë ata, “planet e Albin Kurtit për të ndërruar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e serbëve”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Lista Serbe “artikulon” një plan konspirativ e tejet të çuditshëm, se supozohej që me deputetë tjerë serbë si Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviç, qeveria kosovare “të zhbënte” komunat serbe, pronat e Kishës Ortodokse Serbe, gjuhën serbe dhe të drejtën për përfaqësim institucional.

    “Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri, i cili po mbyll të gjitha institucionet e Kosovës në atë territor, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ngacmimit të popullit serb dhe shkeljen e të gjitha të drejtave të njeriut”, ka shkruar Lista Serbe në një reagim në Facebook.

    Njëherë i dorëzuan mandatet, ndërsa këtë të enjte kthyen me një deputetë më pak.

    Lista Serbe, së paku për tash, u gjet përsëri në Kuvendin e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    I tërhoqën të gjithë serbët nga institucionet e Kosovës, vetëm për t’u kthyer vet përsëri.

    Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviç, e cila përflitej të merrte një mandat në Kuvend kur, siç ishte thënë, nëntë deputetët tjetër të Listës Serbe të refuzonin mandatet.

    “Sapo jam informuar se Lista Serbe ka marrë 9 mandate të reja në Kuvendin e Kosovës për të penguar hyrjen time në të dhe për të mos lejuar që komuniteti serb në Kosovë të marrë përfundimisht përfaqësues të vërtetë politikë”, ka shakruar Trajkoviç në Twitter.

    Ajo gjithashtu iu drejtua presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me pyetjen për ta shpejguar këtë “kthesë”.

    Kujtojmë se Lista Serbe, u dorëhoq nga Kuvendi i Kosovës me 10 deputetët e saj, pas ngjarjeve që nisën me zbatimin e vendimit qeveritar për targat e paligjshme serbe në pjesën veriore të Kosovës.

    Ata qenë zotuar se assesi nuk kthehen në institucionet e vendit pa u tërhequr vendimi për targat dhe pa themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Nuk dihet ende nëse kjo ka të bëjë me atë që u spekulua se është arritur një pajtim në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për shtyrje të vendimit të targave dhe për kthim të serbëve në institucioneve.

    Zv/kryeministri Besnik Bislimi të mërkuren e ka mohaur se ka një pajtim të tillë. “Nuk pati asnjë marrëveshje në Bruksel”, ka thënë Bislimi për gazetarë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!