×
  • Lajme
  • Lajme

    Logjika e punësimeve familjare – ja disa nga to që i bënë dikur PDK dhe LDK

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 22:37

    Kjo çfarë po bëjnë zyrtarët e lartë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, duke punësuar familjarët e tyre nëpër institucione shtetërore, në fakt është vetëm një vazhdimësi e asaj çfarë bënin PDK dhe LDK.


    Kur këto dy parti qeverisnin bashkë në nivel qendror, institucionet mbusheshin me familjarë të ministrave e deputetëve. Njëjtë kishin vepruar edhe në komuna, e në veçanti edhe në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

    Në kohën kur qeveriste Isa Mustafa, familjarët e tij dhe të njerëzve të partisë së tij rehatoheshin në ministri e ndërmarrje publike.

    Reja e tij, Edita Bajrami ishte punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që drejtohej nga LDK. Kjo ministri kishte punësuar edhe djalin e Agim Veliut, Shkumbin Veliun; djalin e Imri Ahmetit, Qëndrim Ahmetin; nipin e Muhamet Mustafës, Izidin Bytyqin; mbesën e Lutfi Zharkut; nipin e deputetit Salih Morina, Arton Bujupin.

    Nga qeverisja e mëhershme e LDK-së burri i Vjosa Osmanit ishte punësuar në Ministri të Punëve të Jashtme. Më pas edhe djali i Vlora Dumoshit, si dhe në MKRS gruaja e Kujtim Shalës. Këto ishin vetëm disa nga raportimet që mediat kishin nxjerrë në atë kohë, për të mos përjashtuar edhe shumë punësime tjera partiake.

    Keq nuk ia kanë lënë as zyrtarët e lartë të PDK-së, parti që merr pjesë në qeverisje tash e 10 vjet. Tash së fundi, gruaja dhe vjehrri i deputetit nga kjo parti, Mergim Lushtaku u punësuan në PTK. Në këtë ndërmarrje kanë familjarë të punësuar edhe ish zyrtarë e zyrtarë aktual të PDK-së.

    Kështu deputeti, Bekim Haxhiu, kishte raportuar se siguron të hyra vjetore prej 11 mijë eurosh nga paga e bashkëshortes, e cila punon në Telekomin e Kosovës. Edhe gruaja e ish deputetit Rafet Rama është e punësuar në PTK. Ajo është edhe motra e deputetes tjetër të PDK-së, Xhevahire Izmaku.

    Në PTK bashkëshorten ishte raportuar se e ka të punësuar edhe ish deputeti Fadil Demaku. Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci kishte deklaruar se e ka të punësuar bashkëshorten në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”, ku merr pagë vjetore prej rreth 8 mijë eurosh, shkruan Reporteri.net.

    Në këtë kompani publike bashkëshorten e ka të punësuar edhe bashkëpartiaku i Grabovcit, deputeti Hajdar Beqa. Madje Beqa e kishte punësuar gruan në “Ibër Lepenc” sa ka qenë vetë kryeshef i kësaj kompanie publike. Bashkëshortja e Beqës ka pagë vjetore prej rreth 14 mijë eurosh.

    Megjithatë, këto ishin vetëm një pjesë e punësimeve partiake të PDK e LDK, që kishin bërë bujë, pasi lista është më e gjatë.

    E tash gjërat kanë ndryshuar. Muajt e fundit dy partitë pjesë e pushtetit – AAK e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe NISMA – kanë aktivizuar mekanizmat e tyre të punësimit të militantëve dhe familjareve të tyre. Kryesisht ato janë bërë në Ministritë që drejtojnë dhe në Telekomin e Kosovës. Për punësimet në këtë të fundit, Reporteri.net, të hënën ka raportuar se do të krijohet një komision hetimor parlamentar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!