×
  • Lajme
  • Lajme

    Djemtë, çikat, gratë, vjehrri, burri, kunata – lexojeni listën e punësimeve në shtet

    Reporteri
    15 Mars 2019 | 15:06

    Ju kërkojmë ndjesë që ky tekst mund të jetë ndoshta më i gjatë se zakonisht. Por, s’ka si të jetë ndryshe kur bëhet fjalë për punësimet partiake në institucionet e shtetit. Sepse, lista e tyre është e gjatë.


    Le t’ia fillojmë:

    Një vit i ishte dashur Osman Ejupit, i afërt me Nismën, që të rehatojë në Postën e Kosovës të katër fëmijët e tij. I emëruar si anëtar i Bordit të Postës dhe Telekomit në mars të vitit të kaluar, Ejupi dha dorëheqje këto ditë, pasi që i plasi skandali për punësimin e katër fëmijëve të tij në PTK – Artina Ejupi-Tolaj, Arxhina Ejupi-Islami, Ardian dhe Armend Ejupi. Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.
    Osman Ejupi nuk është i vetmi në ngarendjen e madhe të njerëzve të politikës për të punësuar familjarët e tyre në PTK dhe institucione të tjera, shkruan Reporteri.net.

    Nëse më herët PTK-ja është mbushur më njerëz të PDK-së e LDK-së, ajo sot po mbushet më të madhe nga njerëzit e AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

    Kryesisht aty po rehatohen fëmijët dhe anëtarët tjerë të familjeve të deputetëve.
    28 vjeçari Genc Nitaj mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në këtë ndërmarrje. Genci është djali i deputetit të AAK-së, ish-gazetarit Muharrem Nitaj.

    Donika Kadaj-Bujupi, që u kthye në AAK pasi e braktisi Vetëvendosjen, gjithashtu ka të punësuar familjarë në Telekom. Nga 1 gushti 2018, Naser Bujupi, bashkëshorti i saj, u punësua agjent i shitjes në Telekom.

    Shaqir Qerimi, si 60 vjeçar, u punësua si agjent i shitjes në PTK. Në të njëjtin vend është punësuar edhe Shehide Qerimi Lushtaku, u punësua si drejtoreshë e Auditimit, disa muaj më vonë. Ajo është bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku. Shaqiri ndërkaq është babai i Shehides. E, anëtari i Bordit të Drejtorëve në Telekom rastis të jetë Sead Ujkani, i cili është shok i ngushtë i Gëzim Qerimit, që është djali i Shaqirit, respektivisht vëllai i Shehides.

    Një tjetër deputet i AAK-së po ashtu ka punësuar një familjar në PTK. Albion Haxhiu është djali i deputetes Teuta Haxhiu, që para pak kohës u punësua në këtë ndërmarrje.

    Kryesuese e Bordit të PTK-së është Besa Shatri-Berisha, e që është gruaja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

    MTI apo MFL?

    Nuk është vetëm PTK-ja çerdhe e punësimeve familjare të zyrtarëve të lartë të shtetit.

    Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka rënë në sy për punësimet e familjarëve të kreut të Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, si dhe Jakup Krasniqit.

    Kështu, MTI po shndërrohet në MFL – Ministria e Fatmir Limajt.

    Në MTI, Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt, është Shef i Kabinetit të Ministrit.

    Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt, po ashtu është punësuar në këtë ministri.

    Taulant Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, është punësuar si inspektor i naftës në ministrinë që drejtohet nga partia e themeluar nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Kunata e ish-deputetes Valdete Bajramit të Nismës do të kujdeset për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës. Shkëndije Bajrami – Azizi, kunata e Bajramit, është pranuar në punë përmes konkursit të dytë për inspektore e tregut për cilësinë e naftës.

    MASHT, një tjetër ‘fabrikë’ e Nismës

    Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka bërë hulumtimin dhe si rezultat i kësaj ka identifikuar se rekrutimi në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është bërë në baza politike dhe familjare.

    “Në këtë Ministri janë marrë në punë këta persona: Valdete Prebeza, ishte kandidate për asamble në Komunën e Prishtinës; Arianit Krasniqi, kryetar i rinisë të Degës Nisma Socialdemokrate në Malishevë; Rudina Restelica, e aderuar në muajin qershor 2018 në Nisma Socialdemokrate; Veton Kastrati ish-asamblist i partisë Nisma dega në Malishevë; Lavdim Rizani anëtar i degës së partisë Nismës në Lipjan; Diana Bytyqi,bashkëshortja e Ardian Gashit, zyrtarit të Nismës për Media; Alberina Foniqi Boja, anëtare e forumit të gruas në Suharekë; Në këtë institucion përmes një projekti të MPMS është punësuar mbesa e ministrit Beslina Hoxha dhe Milot Hyseni, djali i motrës së bashkëshortes se ministrit; Ardita Muqolli e cila ka aderuar në muajin qershor në Nismë”, thuhet në raportin e kësaj organizate.

    Diaspora e Nismës

    Promovimi i Investimeve tek Investimet Strategjike në Ministrinë e Diasporës ka disa muaj që janë në duart e Sadbere Balajt. Balaj është motra e bashkëshortes së Fatmir Limajt, kryetar i partisë NISMA Social Demokrate.

    Në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjikë është punësuar edhe Mirlind Hyseni. Ai është djali i motrës së bashkëshortes së Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi.

    Ushtruese e Detyrës së Sekretares së kësaj ministrie është Shyhrete Gosalci, ish kandidate për deputete të NISMA-s, në vitin 2014, shkruan Reporteri.net.

    Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës Socialdemokrate, në Departamentin e Zyrës së Auditorit të Brendshëm është punësuar, bashkëshortja e Shpëtim Telakut shofer personal i Fatmir Limajt

    Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë hapur dyert për gjashtë nipërit e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit.

    Katër vëllezërit e Krasniqit, kanë të punësuar djemtë e tyre në institucione të ndryshme të vendit. Abdyli vëllai i Jakup Krasniqit ka të punësuar dy djemtë e tij në institucione të vendit, ndërsa vet ai është pjesë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Vëllai tjetër i Jakupit, Halimi që kishte qenë drejtor në një shkollë në Negrovc, ka të punësuar djalin e tij në ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Zv.kryeministri Limaj, në fushatën zgjedhore të qershorit të vitit 2017, kishte dhënë një premtim të madh. Pati thënë se nuk do të ketë familje në këtë që nuk do ta ketë së paku një person të punësuar. Me gjasë e kishte fjalën për familjet e anëtarëve të Nismës dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!