×
  • Lajme
  • Lajme / Rishikim i vendimit

    Macroni sërish flet për pezullimin e vizave për Kosovën: Nuk po mbahet fjala e dhënë

    Reporteri
    17 Tetor 2023 | 12:24
    Emmanuel Macron, President i Francës

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit në Tiranë ka ripërsëritur deklaratën për rishikimin e procesit të vizave për Kosovën, transmeton Reporteri.net.

    “Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.

    Në gusht të këtij viti, në Kosovë pati reagime të shumta ndaj Francës kur tha se do të rishikohet procesi për liberalizimin, “nëse Kosova nuk sillet me përgjegjësi”.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati thënë se masa të tilla nuk janë ndaj ndonjë lideri ose politike, por ndaj popullit të Kosovës.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, pati thënë presidentja Osmani.

    Deklarata e Macron për vizat, Osmani: Një masë e tillë vret dialogun përgjithmonë, padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës

     

    Të hënën e 28 gushtit, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në fjalimin e tij para ambasadorëve francezë nëpër botë foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, derisa kërkoi angazhim për zgjedhjet në komunat veriore, poashtu riangazhim i serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa shpreson se paqja të kthehet në Veri të vendit.

    Presidenti francez ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi”.

    “Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi”, shtoi Macron./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!