×
  • Lajme
  • Lajme

    Marshi rus në Aeroportin e Prishtinës që për pak nuk nisi Luftën e III’të Botërore: Ushtarakët rusë nxjerrin detaje

    Reporteri
    19 Mars 2019 | 14:11

    Më 1999 forcat ruse kishin hyrë në Aeroportin e Prishtinës përpara forcave të Aleancës. Ata kishin bllokuar Aeroportin pa ndonjë marrëveshje me NATO-n, por pas bisedimeve që në atë kohë u zhvilluan në Helsink, rusët kishin pranuar ta zhbllokonin aeroportin duke ja lëshuar kontrollin NATO-s.


    Koloneli Sergei Pavlov i cili në vitin 1999 komandoi me batalionin e ushtarëve rusë që uzurpuan Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, dy dekada pas kësaj ngjarje ka sjellë detaje të reja.

    Kolona e ushtarëve rusë u nis nga Republika Srpska në Bosnjë, më 11 qershor  të vitit 1999. Detyra e tyre ishte të arrinin aty para trupave të NATO-s, të cilat ishin afër Maqedonisë, transmeton Reporteri.net.

    Gjeneral lejtnant Leonid Ivasov në lidhje me këtë ngjarje shprehet: “Duhej të mbroheshin serbët dhe të demonstronim se nuk do të nënshtrohemi ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilët vepruan në mënyrë të turpshme duke mos respektuar rezolutën 1244. Ne e dimë se amerikanët interpretojnë thelbin e rezolutës në mënyrën e tyre dhe nëse ne nuk do të merrnim këtë vendim, atëherë amerikanët do të qeverisnin me Kosovën në mënyrën e tyre”, është shprehur ai.    

    Pamjet se si trupat ruse uzurpuan Aeroportin e Prishtinës, u publikuan në rrejtin televiziv amerikan CCN, por edhe në filmin e gazetarit të luftës Aleksei Borzenko “Tanket ruse në Prishtinë”.

    Ai e përshkruan këtë ditë në Prishtinë si më poshtë:

    “Policia kontrolloi dokumentet tona dhe njoftoi se tanket tona janë të ardhur. Mezi arritëm të besojmë, por doli se ishte e vërtetë! Kur arritëm kishte një numër të madh të serbëve që ishin mbledhur. Ata gjuanin tanket ruse me lule. Pas meje ishin dy serbë, të cilët, siç e mora vesh, kishin lidhje me forcat e armatosura. Ata pëshpërisnin mes vete duke thënë: shiko, rusët janë në numër të vogël. Sa njerëz i ke ti? Te unë janë katër, te ti gjashtë. Ejani shpejt në nisemi për në Sllatinë, të marrim pikën më të lartë rreth aeroportit, ti marrim armët dhe të mbrojmë trupat ruse, nëse ata fillojnë të shtiejnë mbi ta”.

    Në të vërtetë, në këtë marshim të ushtarëve rusë nga Bosnja morën pjesë më pak se 200 ushtarë.

    Njësia më pas uzurpoi aeroportin e Prishtinës, përpara ardhjes së trupave të NATO-s. Flamujt rusë fluturonin në transportuesit e blinduar. Popullsia serbe kishte dalë duke i pritur me lule. Kolona erdhi në Prishtinë në orën dy të mëngjesit të datës 12 qershor 1999. Të gjithë serbët dolën në Prishtinë për të përshëndetur ushtarët dhe oficerët rusë. Pastaj parashutistët morën kontrollin e aeroportit dhe u përgatitën për ardhjen e trupave të NATO-s. Ata tashmë ishin në rrugë për në aeroport.

    Rreth orës 11:00, tanket britanike filluan të mbërrinin në Sllatinë. Britanikët u ndalën para tankeve ruse. Tanket u shoqëruan nga helikopterë, të cilët u përpoqën disa herë të vendoseshin në aeroport. 

    Gjenerali amerikan Wesley Clark, komandant i forcave të NATO-s në Evropë, dha urdhër që Sllatina të merret nën kontroll. Ai tha se rusët duhet të shkatërrohen, por britanikët refuzuan ta zbatojnë këtë urdhër. Komandanti i forcave të NATO-s për Ballkan, Michael Jackson pastaj tha se nuk do të lejojë që të fillojë Lufta e Tretë Botërore.

    Negociatat u zhvilluan për disa ditë. Pas negociatave të vështira, palët ranë dakord që forcat ruse të tërhiqeshin nga Sllatina. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!