Qendrat e votimit mund të jenë tashmë të hapura në një duzinë shtetesh amerikane, ndërsa votimi fizik pritet të nisë në më shumë vende rreth orës 07:00 sipas kohës lindore.

Disa qendra votimi do të hapen në Alabama, Florida, Kansas dhe Michigan, varësisht nga zona kohore në të cilën funksionojnë ato, shkruan CNN.

Në Massachusetts, qytetet ose qytezat mund të zgjedhin t’i hapin qendrat e votimit që në orën 05:45, megjithëse shumica ka të ngjarë t’i hapin ato rreth orës 07:00 sipas kohës lindore.

Reklamë

Në Rhode Island, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00, me përjashtim të New Shorehamit, i cili hapet në orën 09:00.

Ndërsa në Tennessee, qendrat e votimit në zonat me popullsi mbi 120 mijë banorë duhet të hapen deri në orën 08:00 sipas kohës lokale ose më herët, ndërsa shumë prej tyre pritet të hapen së shpejti.

Votimi fizik nis gjithashtu rreth orës 07:00 sipas kohës lindore në Delaware, Washington D.C., Georgia, Illinois, Maryland, Missouri, Pennsylvania dhe South Carolina.