Mbahet takimi i parë i Këshillit Ndërministror të Ujërave, synohet ndërtimi i dy digave të reja

Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti gjatë takimit ka thënë se janë të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe beson se kjo Qeveri është më aktivja deri tash në përparimin e këtij sektori.

Ai ka veçuar rritjen prej 220 për qind të hyrave nga pagesat ujore si dëshmi për angazhimin e Qeverisë. Sa i përket për rezervat e ulëta ujore në Kosovë, Kurti ka thënë se gjatë këtij mandati synohet ndërtimi i dy digave të reja dhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendra të mëdha të Kosovës.

“Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, kryeministri Kurti tha se kemi krijuar grupin punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale, kemi ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion, kemi miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, kemi miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë. Kurse sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kemi emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera. Ai veçoi rritjen prej 220% në të hyrat nga pagesat ujore si dëshmi e angazhimit të qeverisë dhe ndërmarrjeve publike në grumbullimin e të hyrave, por edhe e besimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisë dhe institucioneve vartëse. Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës”, thuhet në postimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë mbledhje, përpos ministrave të kabinetit qeveritar dhe institucioneve të linjës, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss.