×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 10 mijë raste të vjedhjes së energjisë në vit

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 9:23

    KEDS ka bërë të ditur se gjatë një viti evidenton deri në 10,000 raste duke e keqpërdorur energjinë elektrike, disa nga rastet dergohen në gjykatë, deri më tani janë mbi 25 mijë raste të paraqitura por brenda vitit vetëm 1000 prej tyre shqyrtohen.

    “KEDS zë deri në 10,000 raste në vit duke e keqpërdorur energjinë elektrike. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, ato të cilat vlerësohet se përbëjnë precedente penale dërgohen në Gjykatë. Janë mbi 25,000 raste të dërguara në gjykata deri tash. Fatkeqësisht, në një mesatare nuk shqyrtohen më tepër se 1000 raste nga to brenda vitit nga sistemi i drejtësisë, ka thënë zëdhënësit i kësaj kompanie, Viktor Buzhala.

    Ai ka theksuar se nëse vazhdohet me vonesa të trajtimit të lëndëve me një trend të tillë, do të ketë motivim për të përsëritur keqpërdorimet.

    “Nëse do të vazhdohet me trend të tillë të trajtimit të lëndëve të KEDS-it do të ketë pasoja të parikuperueshme në aspektin financiar, ndërsa për keqbërësit kjo formë e veprimit është shpërblim, dhe motivim për të përsëritur keqpërdorimet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Për të ndaluar rastet e keqpërdorimeve me energji, janë angazhuar ekipe në terren të cilat përmes pajisjeve po detektojnë vjedhjet e energjisë.

    “Ne po bëjmë maksimumin që t’a luftojmë maksimalisht këtë dukuri negative. Kemi të angazhuara gjatë 24 orëve, 7 ditë të javës ekipet në terren, të cilat posedojnë pajisjet më profesionale që detektojnë çdo keqpërdorim të energjisë eletrike. KEDS përmes ekipeve të veta ka arritur t’i zbulojë edhe format më të sofistikuara të vjedhjeve të energjisë elektrike.
    Sipas tij, humbjet nga viti 2013 kanë nisur të bien për shkak të qytetarëve dhe ekipeve që po zbulojnë rastet e vjedhjeve të energjisë.

    “Të njëjtën kohë, KEDS ka bërë edhe fushata të ndryshme për vetëdijësim, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve në luftimin e kësaj dukurie. Bashkëpunimi me qytetarë të ndershëm ka rezultuar shumë i frytshëm dhe ka bërë që ekipet tona t’i zbulojnë shumë raste të keqpërdorimeve. Kjo ka rezultuar në zvogëlim të vazhdueshëm të humbjeve dhe nga viti 2013, kur ishin trashëguar humbje në nivelin 32 për qind, ato kanë rënë në 24 per qind dhe rënia është nga viti në vit”, ka thënë mes të tjerash Buzhala.

    Departamenti për Energji në MTI ka theksuar se nga 24 përqind humbje të cilat çdo vit raportohen të zyra e rregullatorit, mbi 50 përqind e tyre janë vjedhje e energjisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!