×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj thotë se e zbuti papunësinë për 4.5% brenda 3 muajve

    Reporteri
    20 Qershor 2019 | 15:55

    Agjencia e Statistikave të Kosovës sot ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të këtij viti.


    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes Facebookut ka shkruar se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovë është ulur në 26.9% për periudhën Janar-Mars 2019 në krahasim me periudhën Tetor-Dhjetor 2018 që ishte 31.6%.

    Sipas Haradinajt këto statistika tregojnë që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare.

    “Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind” ka shkruar Haradinaj.

    Sipas Kryeministrit, këto statistika tregojnë dëshmi për zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës.

    “Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend”.

    Ndryshe, sipas rezultateve të dala nga ASK dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

    Nga popullsia në moshë pune, 61.3 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!