×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbresat e kthyera mbrapsht për Hovenier-in, integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e shihte të arritur të madhe

    Reporteri
    06 Nëntor 2022 | 10:26
    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

    Autor: Xhezair Dashi


    Kur shihni përmes një perspektive afatgjate gjithmonë vëreni se ka një trajektore që është pozitive, thoshte muaj më parë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier, në një intervistë për median serbe “KoSSev”, teksa fliste për përparimet në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Për ta shpjeguar këtë “trajektore pozitive” Hovenier e kishte marrë shembullin e integrimit të serbëve në Policinë e Kosovës.

    Hovenier i cili qysh në vitin 2006 kishte shërbyer si anëtar i delegacionit amerikan të udhëhequr nga I Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtissari, për negociatat rreth statusit të Kosovës, i pati thënë në maj të 2022’ës medias serbe se po t’i thonin atë kohë që serbët do të vishnin uniforma të policisë kosovare “do të kisha qenë skeptik”.

    Vetëm sa u takova me komandantin e policisë për rajonin e veriut [Nenad Gjuriç]. Ai dhe të gjithë oficerët e tij që e mbështetin po vishnin uniforma të Policisë së Kosovës. Po të më kishin thënë në vitin 2007 se kjo do të ndodhte, mbase do të kisha qenë skeptik. Unë këtë thjesht e shoh si një shembull të progresit të vërtetë që është arritur”, ishte shprehur Jeffrey M. Hovenier.

    Në dritë të kësaj, Hovenier shprehej i bindur se piktura e përgjithshme e marrëdhënieve ishte e favorshme për të bërë progres para në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Megjithatë, ky segment i marrëdhënieve që Hovenier-it i kishte lënë aq mbresa u kthye mbrapsht. Dhe dalja nga institucionet e Kosovës si prelud e pati pikërisht komandantin rajonal për Veri, dhe serbët e tjerë në polici.

    Nenad Gjuriç u suspendua për refuzim të kryerjes së detyrës zyrtare, sabotim dhe thirrje për moskryerje të atyreve detyra. Bashkë me të, ato uniforma, që për Hovenier-in paraqisnin progres real, u zhvoshën edhe nga pjesëtarët tjerë serbë të policisë.

    Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës duke zhveshur uniformat pas vendimit për t’u tërhequr nga institucionet kosovare

    Në integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit, në Policinë e Kosovës gjithashtu vendosej që “në vendbanimet me numër të konsiderueshëm të banorëve serbë por që gjenden jashtë komunave me shumicë serbe, të hapen nënstacione policore ose të rriten patrullat e policisë, dhe të rekrutohen zyrtarë shtesë policorë nga komuniteti serbë për të shërbyer në këto zona”.

    Kosova akuzon Serbinë, Serbia akuzon Kosovën, për heqje dorë nga Marrëveshja e Brukselit, siç ndodh rëndom, derisa prospekti për normalizim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi zbehet tej e më tej.

    Lista Serbe, e kryesuar nga Goran Rakiç, pas një mbledhje me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës në pjesën veriore vendosën që t’i lëshojnë institucionet, ku edhe paralajmëruar “ndërtimin dhe fuqizimin” e institucioneve paralele të mbështetur nga shteti i Serbisë.

    E tëra kjo rrodhi si pasojë e refuzimit të komunitetit serb të Kosovës për të konvertuar targat me akronime serbe të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, të cilat qeveria kosovare i ka shpallur përfundimisht të paligjshme.

    Ndonëse qeveria kosovare u ofroi afat kohor dy muajsh dhe lehtësime të mëdha financiare për konvertimin e tyre në targa të Republikës së Kosovës, vetëm rreth 20 sosh vetura u ndërruan në targa RKS. Megjithatë, prej tyre të konvertuara pati edhe prej tyre të cilëve iu dogjën pronat e veturat.

    Veturat me targa të MPB-së serbe të cilat Qeveria e Kosovës i ka shpallur përfundimisht të paligjshme

    Autoritetet kosovare thonë se fushata e frikësimit të Beogradit është aq e madhe andaj edhe numri i riregjistrimit të veturave të serbëve ishte aq i vogël, shkruan Reporteri.net.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës të shtyjë edhe për një periudhë dhjetë muajshe vendimin për zbatimin e çështjes së riregjistrimit të targave, por autoritetet e Kosovës e kanë mohuar një shtyrje të tillë.

    Nga 21 nëntori kur përfundon lëshimi i fletqortimeve, do të nis lëshimi i fletgjobave për ngasësit e këtyre veturave, me ç’rast Lista Serbe ka thënë se gjoba e parë do të shërbejë si arsye për “reagim të fuqishëm”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!