Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, duke theksuar se për këtë nuk ka alternativë tjetër.
Ajo ka bërë të ditur se sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për këtë Byro, duke falënderuar qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë për kontributin e tyre në këtë proces.
“Sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë. Falënderojmë të gjithë qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo shtoi se çdo koment i pranuar do të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi.
“As edhe një koment i vetëm i pranuar nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë përgjigje. Çdo kontribut do të shqyrtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, me qëllim që të kemi një ligj sa më të plotë, funksional dhe të qëndrueshëm”, ka thënë ajo.
Gërvalla theksoi se krijimi i Byrosë është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim për forcimin e sundimit të ligjit.
“Krijimi i kësaj Byroje është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim i qartë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se pasuria e pajustifikueshme nuk mund të mbetet e paprekshme.
“Pasuria e pajustifikueshme, e krijuar mbi kurrizin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Republikës, nuk mund të mbetet e paprekshme… Askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin”, theksoi Gërvalla.