Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burgim Millorad Gjokoviqin, pasi e shpalli fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.
Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli, e cila ka bërë të ditur se të dënuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sipas aktgjykimit, Gjokoviq, në cilësinë e policit rezervë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, së bashku me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë.
Rasti ishte rihapur për shqyrtim gjyqësor më 27 korrik të këtij viti, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.
Në atë kohë, gjyqtarja Shala-Abdyli kishte deklaruar se gjykata vlerësonte se nuk ishin shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Krasniqi kishte dëshmuar se kishte dhënë deklaratë në polici për rastin, por nuk kishte mundur ta kujtonte datën e saktë.
Çfarë thuhej në aktakuzë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të përpiluar më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare në Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth.
Aktakuza përfshinte akuza për vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të dhjetëra civilëve, si dhe plaçkitje, djegie e shkatërrim të shtëpive të shqiptarëve.
Sipas Prokurorisë, gjatë ofensivës në Ozdrim, forcat e rregullta ushtarake serbe kishin hyrë në fshat nga pjesa veriore, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, ndërsa nga pjesa perëndimore, në kufi me Vitomiricën, kishin hyrë grupe paramilitare, ku kishte edhe pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Në aktakuzë thuhet se pjesëtarët e këtyre forcave kishin qëlluar në drejtim të popullsisë civile, duke vrarë gjashtë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.
Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se tre civilë të plagosur nga të shtënat, A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht ishin dërguar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.
Pesë civilë të tjerë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., sipas aktakuzës, ishin vrarë gjatë ofensivës, ndërsa trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.