×
  • Lajme
  • Lajme / Ministri i jashtëm maqedon

    Ministri Osmani mohon se OSBE-ja u dorëzua para Rusisë

    Reporteri
    29 Nëntor 2023 | 18:24
    Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

    Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i ka hedhur poshtë vlerësimet se Rusia ka fituar duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i organizatës më 2024, pasi Moska i ka vënë veto Estonisë, shtet anëtar i NATO-s.

    Osmani ka thënë se vendimi shënon “fitore për rregullin ndërkombëtar”, pasi OSBE-ja funksionon me konsensus.

    “Nuk mendoj se ndonjë vit, përfshirë të kaluarin, ministri Lavrov apo ministrat e shteteve pjesëmarrëse nuk janë ftuar në takimet e OSBE-së. Çfarë ka ndodhur vitin e kaluar është se Polonia ka refuzuar të lëshojë vizë për Lavrovin, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian. Prandaj, ajo çfarë po bëjmë është vazhdimësi e rregullave të përcaktuara prej organizatës, që t’i kemi të gjitha shtetet pjesëmarrëse rreth tavolinës, pasi kjo është organizatë që ka për bazë konsensusin. Marrë parasysh që organizata është duke funksionuar në kohë të jashtëzakonshme, kur ekzistenca e saj është duke u sfiduar, ne kemi menduar se është jetike që të arrijmë konsensus, sidomos për shtyllat që mundësojnë funksionalitet të organizatës në të ardhmen”, tha Osmani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    Osmani ka komentuar edhe faktin se e ka ndërmjetësuar marrëveshjen që Malta të marrë kryesimin e OSBE-së vitin tjetër derisa është përgjigjur në atë se Rusia është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj të vetos, dhe ajo po arrin atë që po synon.

    “Nuk mendoj ashtu. Besoj se është fitore diplomatike. Është fitore për OSBE-në dhe fitore për rregullin ndërkombëtar. OSBE-ja është organizatë e bazuar në disa parime bazike dhe parime të përcaktuara me Aktin Final të Helsinkit, i cili ka qenë pjesë e arkitekturës së sigurisë evropiane dhe ka garantuar paqe dhe stabilitet për më shumë se 75 vjet, OSBE-ja më konkretisht, në 50 vjetët e fundit. Ne kemi qenë të qartë në dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Rusia i ka shkelur parimet dhe përkushtimet e organizatës, dhe ne e kemi pranuar rolin tonë qysh prej fillimit, që ne jemi gardianë të këtyre parimeve. Ne e kemi bërë OSBE-në platformë për llogaridhënie politike dhe ligjore të Federatës Ruse për veprat e saj në Ukrainë. Ne e kemi aktivizuar tri herë të ashtuquajturin mekanizëm të Moskës për të mbledhur të dhëna dhe fakte për mizoritë, përfshirë rrëmbimin e fëmijëve prej Ukrainës”, tha Osmani.

    Intervistën e tij të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!