KFOR’i s’duhet të lejojë dërgimin e pjesëtarëve shqiptarë të Policisë së Kosovës në Veri, kërkoi ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, pas largimin të afro 600 policëve të komunitetit serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kjo do të kishte “konsekuenca të paparashikueshme”, i tha ai medias serbe “Novosti” derisa vazhdoi të shtojë se “Serbia nuk dëshiron luftë”.

“Ne KFOR’in e shohim si faktor që duhet të ruajë dhe garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Veçanërisht tani, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet, nuk duhet të lejojnë që Albin Kurti të dërgojë policë të nacionalitetit shqiptar për të zëvendësuar policët serbë. Kjo do të ishte rrugë me pasoja të paparashikueshme.

Reklamë

“Ne nuk duam që kombi ynë të vuajë, por thirrjet tona për bisedime, për dialog, nuk do të thotë që ne jemi të dobët, të papërgatitur ose të pavendosur. Ne mendojmë se është më mirë të kemi dialog dhe bisedime, të ulemi në tavolinë në vend se të ulemi nëpër llogore”, ka thënë ai.

Serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës pas nisjes së zbatimit të fazshëm të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e paligjshme “KM, PZ etj”, gjë që, deklarativisht, u përdor si argument nga serbët për t’u larguar duke e interpretuar atë si “dhunë institucionale”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë se çështja e targave u përdor vetëm si “maskim” i refuzimit të planit franko-gjerman nga Serbia.

Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, derisa ka shtuar se vendimet e qeverisë kosovare janë në funksion të sundimit të ligjit dhe jo drejtuar komunitetit serb./Reporteri.net/