×
  • Lajme
  • Lajme / Vota kundër

    Ministrja malazeze: Mali i Zi do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 14:29

    Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka komentuar votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. 

    Gorçeviq në një konferencë për media bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi, ku  nënshkruan  marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027, tha  vota e një deputeti të caktuar, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit të Malit të Zi.

    Ministrja malazeze tha se Mali i Zi në Këshillin Ministror, në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Unë e kuptoj interesimin e mediave në lidhje  me votimin nga një deputeteje, por  shumica parlamentare në Këshillin e Evropës, ashtu siç tha edhe zoti Bislimi votimi i disa deputetëve në Këshillin e Evropës nuk do të thotë se është qëndrim i  Qeverisë së Malit të Zi…

    Dua të nënvizoj se Mali i Zi në Këshillin Ministror në Maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane”, tha ministrja malazeze.

    Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

    Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

    Deri më tani, as Qeveria, as kryeministri, as presidenti, e as kryetari i Parlamentit të Malit të Zi nuk kanë reaguar lidhur me votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Deputetja proserbe e proruse e Malit të Zi votoi kundër Kosovës në Paris, reagime në Podgoricë

     

    Republika e Kosovës të mërkurën e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

    Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

    Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. /Reporteri.net/

    Kosova kalon me sukses shqyrtimin e Raportit për anëtarësim në KiE

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!