Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se ka ambicie për të kandiduar për kryetar të partisë.

I pyetur nëse do të jetë kandidat për këtë pozitë, Gashi ka thënë se gjasat janë maksimale që të hyjë në garë, nëse ajo do të jetë e mirëfilltë, e hapur dhe demokratike.

“Gjasat maksimale janë që po, nëse do të kemi një garë të mirëfilltë, të hapur dhe demokratike. Nëse nuk ka konsensus për ndonjë kryetar, hapet gara dhe do të jem kandidat”, ka deklaruar Gashi, në T7.

Reklamë

Ai ka theksuar se, nëse arrihet një konsensus paraprak përmes kompromisit, nuk duhet të ketë qëndrime destruktive, ndërsa në rast se hapet gara për kryetar të LDK-së, ai do të jetë kandidat.

“Nëse do të ketë konsensus paraprak në kompromis, nuk duhet të jemi destruktivë. Nëse hapet gara, do të jem kandidat”, ka thënë Gashi.

Përveç Gashit, deri më tani ambicie për kryetar të LDK-së kanë shpallur edhe deputetja Hykmete Bajrami dhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ky i fundit ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.