Molliqaj reagon ndaj reduktimeve të energjisë, paralajmëron edhe protestë

Në dritën e krizës aktuale me energji, ku si pasojë u rikthyen reduktimet [6 me 2] nga KEDS-i, ka reaguar edhe kryetari i së majtës socialdemokrate, Dardan Molliqaj, duke lënë të kuptohet se mund të ketë protesta ndaj qeverisë kundër gjendjes energjetike.

Referuar përgjigjes së kryeministri të vitit kaluar për “ngrohje me batanije”, Molliqaj tha se “protestën do ta kenë si përgjigje”, me ç’rast shpërndau edhe fotografinë e protestës së fundit kundër shtrenjtimit të rrymës.

Ish-bashkëpunëtori politik i Kurtit, Dardan Molliqaj, renditi edhe një sërë pasojash negative, që sipas tij, i faturohen kësaj qeveria, përcjell “Reporteri.net”.

“Inflacioni në Kosovë është sikur në gjendje lufte. Qeveria rrinë e strukur. Energjia është shtrenjtuar. Tash edhe reduktime. Shpejt pritet ngritja tjetër e energjisë. Çmimet e mallrave pastaj”, shkroi ai.

“Qeverisja dorështrënguar nuk është as e majtë as zhvillimore. Këta i ruajnë paratë për ditët e zeza kur vetë ndihen të rrezikuar. Dhe pas secilit problem presin, ka edhe më keq. Paradoksalisht, duke bërë kështu po ia ofrojnë vetes ditët e vështira”.

Në lidhje me reduktimet, Molliqajt nuk i mungoi as ironia: “Të barabartë në terr, Albini është i të gjithëve”.

“Terri sot nuk është sikur ai i viteve të pas luftës. Na vjen me shije të propagandës: terri është i barabartë për të gjithë”, konstatoi ai.

Dardan Molliqaj thotë se pas afro 15 vitesh, dhe atë në sezon veror “Kosovës iu kthyen reduktimet”.

“Nëse dikush iu tregon se Qeveria s’ka faj, meqë kriza e çmimeve është globale, mos e kundërshtoni, vazhdojeni arsyetimin. Jo vetëm qe kriza është globale dhe e shkaktuar nga lufta e Ukrainës. Vetë lufta në Ukrainë është shkaktuar për t’i ngritur çmimet, ashtu që pas ngritjes së çmimeve Qeveria Kurti të ngulfatet nga brenda dhe të rrëzohet”, shprehet ai, sarkastikisht.

“Kush po përballet me reduktime, meqë kriza qenka globale? Si bëhet që Shqipëria e ka shpenzimin më të madh verës, por atje s’ka reduktime. Pse nuk ka reduktime në Maqedoni, në Mal te Zi ose n’Serbi? Apo të gjithë janë pjesë e komplotit imperialist të bashkuar kundër Albinit?!”.

Referuar një tabloje të tillë të gjendjes, Molliqaj shtron pyetjen “ndryshim apo jo!?”.

“Bukur fort, qenka gjendje e trashëguar nga qeverisjet e mëparshme. Ky argument rrinë veç nëse presupozojmë  që njerëzit nuk kanë madje as memorie afatshkurtër. Reduktimet erdhën me këtë Qeveri”, thotë mes tjerash Dardan Molliqaj.