Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në dy ditët e ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jostabil, ndërsa të dielën pritet të ketë reshje bore.

Të premten parashihet të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu kryesisht në perëndim të vendit dhe juglindje. Në viset kodrinoro-malore me lartësi mbidetare mbi 800m reshjet do të jenë në formë dëbore.

Të shtunën, sipas IHMK-së, reshjet parashihen të përfshijnë gjithë territorin, intensiteti i tyre do të jetë mesatar dhe mesatarisht i lartë, duke krijuar mundësi që në disa zona të shkaktojnë vështirësi.

Reklamë

Të dielën reshjet parashihen të jenë në formë dëbore për shkak të masave të ajrit të cilat vijnë nga veriu i kontinentit dhe bashkë me këto ndryshime priten edhe ulje në fushat termike, kryesisht në vlerat e minimaleve.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius.

“Java e ardhshme parashihet me më pak reshje, por sa i përket temperaturave, ato do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme”, përfundon njoftimi.