×
  • Lajme
  • Lajme

    MPB e Serbisë: Zv/drejtori i Policisë së Kosovës është dërguar në mbajtje

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 11:42

    Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në një reagim ka thënë se dje janë ndaluar katër policë të Kosovës, njëri prej të cilëve sipas MPB-së serbe është dërguar në mbajtje.

    MPB-ja serbe thotë se në mbajtje është dërguar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    “Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë ndaluar, njëri është dërguar në mbajtje – zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës”, ka thënë MPB-ja e Serbisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan jankoviq.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

    “Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

    Kurti: Janë liruar katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi

    Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Presidentja e vendit tha se mizoritë e tilla duhet të ndalen.

    “Përderisa po përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këtë momente pesë Policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, Serbia. Prandaj i bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të ngrisin zërin dhe të rrisin përpjekje që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoveniste kundër qytetarëve tanë dhe Policisë sonë. Jam e bindur se betimi i sotëm dhe të gjitha këta kadetë dhe ky grup multientik është përgjigja më e mirë ndaj veprimeve të tilla”, ka thënë Osmani.

    Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka quajtur akt të paprecedent mbajtjen zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe që nga dita e djeshme në Serbi.

    Ai tha se ky është sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Policinë e Kosovës.

    “Sot ceremonisë i mungon zëvendësdrejtori nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq i cili dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashë të Serbisë, ashtu siç po mbahen në Serbi edhe 4 zyrtarë të tjerë policor. Ky është një akt i paprecedent i Serbisë mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar policisë së Kosovës. Ky është një sulm i drejtëpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në policinë e Kosovës, të cilët gjejnë vet guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët për shërbim e siguri për të gjithë qytetarët. Republika jonë është e përbashkët dhe çdo ditë e punës sonë duhet dedikuar forcimit të tij kolegëve të tjerë polic”, tha Sveçla. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!