×
  • Lajme
  • Lajme / Kthimi në dialog

    MPJ e Gjermanisë: Serbia të mos e vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Ohrit, të zotohet qartë për zbatim

    Reporteri
    12 Korrik 2023 | 13:20

    De-eskalimi i situatës në Veri dhe ecja me shpejtësi drejt implementimit të Marrëveshjes së Ohrit është kërkesë e fuqive perëndimore tash e sa kohë. Kosova ka hedhur hapin e parë duke pranuar disa hapa që mund të çojnë tek zbatimi i propozimit 3 pikësh të BE-së për de-eskalim në Veri të Kosovës.

    Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës pas takimit që kryenegociatori Besnik Bislimi ka zhvilluar në Bratisllavë me emisarin sllovak, Miroslav Lajçak. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë po kërkon që të ecet drejt zbatimit të menjëhershëm të Marrëveshjes së Ohrit.

    Lidhur me këto zhvillime në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi kanë folur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka thënë se Berlini zyrtar, siç ka pritur nga Kosova, pret edhe nga Serbia të kontribuoj aktivisht në de-eskalim dhe që Beogradi zyrtar të bëj një zotim të qartë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është arritur gjatë këtij viti dhe që Serbia të mos e vëj në pikëpyetje vlefshmërinë dhe natyrën obligative të marrëveshjes.

    “Ashtu siç pritej nga Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në de-përshkallëzimin. Serbia duhet të bëjë një zotim të qartë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti, dhe të mos e vërë në pikëpyetje vlefshmërinë dhe natyrën e saj detyruese”, ka thënë ky zëdhënës për Gazetën Express.

    Nga MPJ e Gjermanisë thonë se mbështesin përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe punën e përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajcak dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

    Të pyetur rreth ndërprerjes së bashkëpunimit me Kosovën në disa fusha, nga MPJ e Gjermanisë kanë rikujtuar paralajmërimet e BE-së për masa dhe për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në disa fusha të ndryshme nëse Qeveria e Kosovës s’merr masat e duhura për de-eskalim. Gjithashtu rikujtojnë se Miroslav Lajcak ka shpjeguar më 4 korrik se BE po shqyrton gjithashtu edhe marrjen e masave ndaj Serbisë.

    Nga Berlini zyrtar thonë për Gazetën Express në përputhje me këto vendime të Bashkimit Evropian, Qeveria e Gjermanisë ka vendosur të ndërpres përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, ku përfshihet shtyrja e konsultimeve të planifikuara dhe e formateve të bashkëpunimit në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit zhvillimor.

    Këto masa s’prekin bashkëpunimin në sektorin e shoqërisë civile apo projekteve, zbatimi i të cilave tashmë ka filluar. Këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Parakusht për këtë është është zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzimin e situatës në komunat veriore.

    “Më 3 qershor dhe përsëri më 22 qershor 2023, BE-ja lëshoi një deklaratë duke përshkruar hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar në katër komunat veriore. Këshilli Evropian gjithashtu iu referua këtyre hapave në Konkluzionet e Këshillit të 29 dhe 30 qershorit të këtij viti. Në këtë drejtim, BE-ja paralajmëroi masa për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme nëse qeveria nuk merr masat e duhura deeskaluese. Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi shpjegoi më 4 korrik se BE po shqyrton gjithashtu marrjen e masave në lidhje me Serbinë.

    Në përputhje me këto vendime, qeveria gjermane ka vendosur të ndërpresë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme. Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve të planifikuara dhe formateve të bashkëpunimit në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit zhvillimor. Kjo nuk i referohet projekteve me sektorin e shoqërisë civile apo projekteve, zbatimi i të cilave tashmë ka filluar. Të gjitha projektet e prekura mund të rifillohen në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme urgjentisht për de-përshkallëzimin e situatës në komunitetet veriore”, kanë thënë për Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

    Kryengoaciatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me emisarin Miroslav Lajcak ka treguar detajet e marrëveshjes fillestare që do të çojë në de-eskalimin e situatës në veri. Kosova është pajtuar të reduktojë prezencën policore në objektet komunale dhe përrreth tyre për 25%.

    Gjithashtu “Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

    Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

    BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”

    Qeveria ka deklaruar se këto veprime do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.​

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!