×
  • Lajme
  • Lajme / EKSKLUZIVE

    MPJD-ja konfirmon arrestimin në Bullgari të Kryeshefit të KRU “Gjakova”: Po kërkohej nga Interpoli

    Autor:Egzona Krasniqi
    01 Mars 2024 | 17:09

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, se kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi, është ndaluar më 19 shkurt në Bullgari.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo’”, thuhet në konfirmimin e MPJD-së për Reporteri.net.

    “Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, ka sqaruar Ministria e Jashtme e Kosovës.

    Ndryshe nga MPJD, nga Policia e Kosovës, të premten kanë refuzuar të japin informacion në lidhje me arrestimin e Krasniqit nga autoritetet bullgare.

    “Referuar kërkesës suaj ju informojmë se bazuar në Ligjin mbi mbrojtjen e të dhënave personale, PK-ja nuk mund të jap informacione të tilla për asnjë person, përjashtuar kur organet kompetente të drejtësisë e kërkojnë këtë”, ka thënë Policia për gazetën online Reporteri.net.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar në Bullgari, në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore, ka raportuar ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net, të premten.

    Njeriu i VV’së, kryeshef në KRU “Gjakova” arrestohet në Bullgari – kishte urdhërarrest ndërkombëtar për trafikimin e njerëzve

    Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Atij, një gjykatë e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.

    Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Këto janë tri veprat penale për të cilat Italia po e kërkon ekstradimin e kryeshefit të KRU “Gjakova”, i arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar

    Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

    Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

    Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist./Reporteri.net/.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova” i arrestuar në Bullgari për trafikim me njerëz, me aktakuzë të ngritur edhe në Kosovë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!