×
  • Lajme
  • Lajme

    Muharrem Nitaj punëson djalin në Telekom, Donika Kadaj bashkëshortin

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 20:16

    Vala e punësimeve në ndërmarrjet publike po vazhdon, kryesisht janë të afërmit e atyre që janë në pushtet, ata që gëzojnë këto privilegje.


    28-vjeçari Genc Nitaj, mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në këtë ndërmarrje. Genci është djali i deputetit të AAK-së, ish-gazetarit Muharrem Nitaj.

    Deputeti Muharrem Nitaj, ka mohuar të ketë pasur ndikim në punësimin e djalit të tij, duke theksuar se është e drejtë e secilit që të aplikoj për punë në këtë ndërmarrje.

    “Nuk kam ndiku, ai ka apliku vet, për më tepër Genci ka përgatitje fantastike profesionale, dhe është më i kualifikuar sesa pozita në të cilën është ai për momentin e nuk ka pse të paguajë çmim pse e ka babën Deputet në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Nitaj për KTV-në.

    Ai ka mohuar poashtu që AAK, të ketë lidhje, me punësimin e të birit. Ndërkaq, Genc Nitaj, kontratën si zyrtar i marketingut në Telekom e morri kur kjo ndërmarrje ishte nën menaxhimin e Gent Begollit, një ish-zyrtari të AAK-së.

    Përveç Nitajt, edhe deputetja Donika Kada- Bujupi ka të punësuar familjarë në Telekom. Bëhet fjalë për bashkëshortin e saj Naser Bujupin, i cili u punësua agjent i shitjes në Telekom, në gusht të 2018-s.

    Mirëpo edhe Kada-Bujupi, është shprehur se nuk ka pasur të bëjë me punësimin e bashkëshortit.

    “Nuk ndodh shpesh që familjarët e politikanëve të mbesin pa punë, megjithatë burri im ka mbetur pa punë qe 20 vite, dhe pse është burri im nuk do të thotë që nuk mund ta ketë një vend pune”, u shpreh ajo për KTV-në.

    Ndërkohë, sipas një raporti zyrtar të Telekomit, 234 persona janë punësuar në periudhën shkurt 2018- 2019. Në total, Telekomi ka 2 mijë e 540 punëtorë, për dallim prej 2 mijë e 295 sa kishte në vitin 2016.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!