×
  • Lajme
  • Lajme

    Muharremaj e Kurteshi shpëtojnë nga ndjekja penale për hedhjen e gazit lotsjellës

    Reporteri
    02 Maj 2019 | 15:18

    Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj ish-deputetit Bali Muharremaj dhe deputetit Ismajl Kurteshi, pasi që prokurorja Ferdane Sylejmani ka hequr dorë nga aktakuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.


    Muharremaj dhe Kurteshi akuzoheshin për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 i KPRK-së, por që ndaj tyre prokurorja Ferdane Sylejmani ka hequr dore nga ndjekja penale.

    Aktgjykimin refuzues në këtë rast e ka shpallur gjykatësi Hamdi Ibrahimi, i cili tha se arsyeja e vetme pse kjo aktakuzë fillimisht kishte kaluar pragun e konfirmimit kishte qenë se prokuroria kishte pretenduar se ka prova për rastin.

    “Kjo prokurori kishte thënë se ka prova relevante si video incizim e foto-dokumentacion për Kurteshin dhe Muharremaj, por që nga seanca doli se këto prova nuk ishin relevante, madje video incizimi nuk kishte të bënte fare me aktakuzën”, tha gjykatësi Ibrahimi.

    Sipas tij, edhe vepra për të cilën akuzoheshin Muharremaj dhe Kurteshaj, neni 375 paragrafi i parë kishte të bënte me persona që kanë autorizim dhe leje për të përdorur armë, por që e përdorin në shkelje me dispozita ligjore.

    I njëjti tha se vendimin me shkrim do ta pranojnë palët sipas kohës së përcaktuar me ligj.

    Ky aktgjykim refuzues është shpallur si rezultat i heqjes dorë nga aktakuza nga ana e prokurores Ferdane Sylejmani, së cilës provat e prezantuara në seancën e së enjtes, janë shpallur të papranueshme.

    Ndryshe, gjatë kësaj seance, deputeti Muharremaj ka pranuar fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës, por një gjë të tillë e ka revokuar trupi gjykues dhe në fund edhe prokurorja Ferdane Sylejmani ka hequr dorë nga aktakuza.

    Muharremaj në fillim të seancës tha se pranon fajësinë për këtë vepër, kurse Kurteshi e mohoi fajësinë.

    Pasi që Kurteshi nuk pranoi fajësinë, gjykimi vazhdoi vetëm ndaj tij, me administrim të provave nga prokurorja Sylejmani, e cila tha se nuk është e koncentruar dhe e përgatitur për seancë, duke shtuar se sapo ishte kthyer nga pushimi.

    Ndonëse, ajo filloi me prezantim të provave materiale, të cilat kërkoi që të administrohen, të njëjtat dolën të jenë të një rasti tjetër, e jo të këtij që po zhvillohej të enjten.

    Sylejmani prezantoi një video-incizim të Kuvendit të Kosovës, në të cilin pretendohej se do të vërtetohej se Kurteshi kishte hedhur gazin lotsjellës, mirëpo ajo video, rezultoi të jetë e kohës kur ishte zhvilluar procedura për zgjedhje të Presidentit, e jo për demarkacion.

    Sylejmani tha se po e vëren tani që nuk është video-incizimi i duhur, por që të njëjtat veprime ishin kryer në seanca tjera, duke kërkuar që ajo duhet të pranohet si provë.

    Gjatë këtij deklarimi, reagoi i akuzuari Kurteshi, i cili tha se ky video-incizim nuk kishte të bënte fare me rastin për të cilin ai po akuzohet.

    Në fund, gjykata e shpalli të papranueshme një provë të tillë, e cila kishte datë tjetër dhe nuk ishte për rastin konkret.

    Prokurorja Sylejmani vazhdoi edhe më tej me prezantim të provave, por pas vërejtjeve të kryetarit të trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ajo hoqi dorë nga video-incizimi i ofruar për një rast tjetër.

    Në kuadër të provave, Sylejmani prezantoi edhe një foto-dokumentacion në të cilin, sipas saj, do të vërtetohej kryerja e veprës penale, por që kjo provë nuk përmbante as datë, as kohë, e as nuk ishte në origjinal, por ishte marrë nga një lajm i publikuar në gazetën ditore “Zeri”.

    Avokati i Kurteshit, Arlind Jupolli tha se kërkon nga gjykata që këto prova t’i shpall si të papranueshme, pasi sipas tij, se nuk kanë të bëjnë fare me rastin për të cilin akuzohet klienti i tij.

    Gjykatësi Hamdi Ibrahimi në konsultim me anëtarët e trupit gjykues, vendosi që këto prova më pas t’i shpall të papranueshme.

    “Gjykata shpall provë të papranueshme këtë foto-dokumentacion si dhe video-incizimin e prezantuar si prove materiale nga prokurori i shtetit. Video incizimi i propozuar s’ka të bëjë fare me objektin e aktakuzës sepse ky video-incizim i referohet zhvillimit të ngjarjeve në seancë e Kuvendit kur është proceduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të vendit. Sa i përket foto-dokumentacionit, gjykata ka konstatuar se prokurorja e shtetit gjatë shqyrtimit gjyqësor ka dështuar që gjykatës t’i ofroj origjinalin dhe kur dhe nga kush është bërë ky foto-dokumentacion, sepse i njëjti s’ka fare datë, as kohë dhe është i nxjerr në formën copy- paste nga faqja e gazetës ditore “Zëri”, tha gjykatësi Ibrahimi.

    Pasi nuk u administruan provat, gjykata revokoi në fund edhe pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bali Muharremaj.

    “Me rastin e prezantimit të provave nga prokurorja, është vërtetuar se lidhur me këtë çështje penale, prokurori nuk ka prezantuar prova materiale, me të cilat do të vërtetonin gjendjen faktike sipas dispozitivit të aktakuzës, e që do të thotë se pranimi i fajësisë nuk është në pajtim me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës”, tha gjykatësi Ibrahimi.

    Krejt në fund, prokurorja Sylejmani tha se duke qenë se gjykata i shpalli të papranueshme këto prova, tërhiqet nga ndjekja penale për dy të akuzuarit.

    Kurteshi e Muharremaj akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, në kohën sa ishin në opozitë në legjislativin e vendit, kur nëpërmjet këtyre formave kundërshtonin dy marrëveshjet e qeverisë, atë për demarkacionin me Malin e Zi si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

    Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 7 qershor të vitit 2017.

    Sipas aktakuzës, më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur armën dhe kanë penguar personat zyrtar dhe secili veç e veç ka hedhur gaz lotsjellës.

    Ismajl Kurteshi për veprën e njëjtë penale akuzohet edhe në një rast tjetër së bashku me deputetin e Nismës Socialdmokrate, Haxhi Shala.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!