×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Seanca

    Murati: Shteti nuk do të mbetet spektator ndaj rritjes së çmimeve

    Reporteri
    10 Prill 2026 | 17:47

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, në emër të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

    Gjatë prezantimit, Murati theksoi se ky projektligj përfaqëson një përgjigje shtetërore dhe politike ndaj nevojës për mbrojtjen e qytetarëve në situata të luhatjeve të mëdha të çmimeve në treg, shkruan Gazeta Online Reporteri.net..

    “Ky projektligj është një përgjigje shtetërore dhe politike ndaj një nevoje reale të qytetarëve të Republikës së Kosovës që shteti të mos mbetet spektator kur çmimet e produkteve dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndojnë drejtpërdrejt mbi familjet tona”, tha ai.

    Sipas tij, projektligji synon vendosjen e masave të përkohshme dhe proporcionale për produktet bazike në raste të destabilizimit të tregut, duke vënë në fokus mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik.

    “Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut, me fokus të qartë në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik. Kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, jo me një mekanizëm të përhershëm të ndërhyrjes në ekonomi”, deklaroi Murati.

    Ai shtoi se iniciativa ligjore nuk është kundër biznesit dhe as kundër tregut të lirë, por synon vendosjen e rregullit dhe përgjegjësisë në rrethana të jashtëzakonshme.

    “Ky nuk është ligj kundër biznesit dhe tregut të lirë, por ligj për rregull dhe përgjegjësi. Është ligj që ndan kufirin mes fitimit të ligjshëm dhe abuzimit në rrethana të krizës. Është ligj që siguron qytetarin se shteti nuk do ta lërë vetëm në goditjet e papritura në çmimet e bukës, miellit, qumështit, vajit e mallrave të tjera bazike të jetës së përditshme”, tha ai.

    Projektligji, sipas ministrit, parashikon edhe masa konkrete ndërhyrjeje në treg, përfshirë caktimin e marzhës tregtare për shitjet me shumicë dhe pakicë, si dhe vendosjen e çmimit maksimal të lejuar për produkte të caktuara në situata të veçanta.

    Ai tha se shteti nuk po kërkon pushtet mbi tregun por mandat të qartë për të vepruar kur është e nevojshme.

    “Karakteristika e dytë është mekanizmi i ri rregullator, pas aktgjykimit, dhe kërkesës që ndërhyrja të mos jetë në kuadër të ekzekutivit, projektligji e themelon Bordin e pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimit. Është organ i pavarur, i krijuar nga Kuvendi dhe i raporton Kuvendit.”, tha ai.

    Murati tha se lista e produkteve bazë, lista e nënprodukteve mund të specifikohet me akte nënligjore.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!