Milan Radoiçiq, i dyshuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është arrestuar sot në Beograd, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka bërë të ditur se Radoiçiq është arrestuar sot dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Atij  siç njoftohet i është bastisur banesa dhe lokalet në pronësi dhe më pas Radoiçiq është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.

Reklamë

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.

Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori edhe vetë Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Ka pasur raportime për tërheqje, por ende s’ka zyrtarizim.

Reklamë

Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri. /Reporteri.net/

 

Milan Radoiçiq pranon se mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

Reklamë