×
  • Lajme
  • Lajme

    Naftë jocilësore, Dogana bllokon cisternën e ‘Al Petrol’ me logon e ‘Shell Kosova’

    Reporteri
    03 Korrik 2020 | 15:01

    Një cisternë me naftë e kompanisë “AL Petrol SHPK”, me logon e ‘SHELL Kosova’, licencën e gjigantit botërorë të cilin e zotëron e njëjta kompani kosovare, është bllokuar në një nga terminalet doganore në Fushë-Kosovë, qysh më 19 qershor 2020. Shkak i kësaj bllokade, sipas një raport inspektimi, po del të jetë cilësia e derivateve, e cila nuk plotëson standardet e parapara nga shteti.


    Ka dy javë që një cisterne me naftë e kompanisë ‘AL Petrol SHPK’, e mveshur me logon e ‘SHELL Kosova”, si kompani e licencuar e gjigantit holandez për në Kosovë është bllokuar në terminalin doganorë të Devollëve, në Fushë-Kosovë.

    Kjo pasi, Dogana e Kosovës ka vërejtur se nafta me destinacion tregun kosovar nuk përmbushte standardet e cilësisë të parapara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka siguruar fotografi të cisternës në fjalë, e cila po mbahet e bllokuar në terminalin doganor, e për të cilin tash e dy javë, përkundër përpjekjeve të gazetës për të marrë informacione rreth rastit, Doganat e Kosovës nuk janë përgjigjur.

    Po ashtu, Reporteri.net ka parë edhe një dokument, raporti inspektimi, të datës 2 korrik 2020, që tregon vulën se nafta e ndodhur brenda të njëjtës cisternë të bllokuar nga Dogana të kompanisë “AL Petrol SHPK”, është “JO KONFOM ME DISPOZITAT RREGULLATIVE” për cilësinë e derivateve.

    Ky raport inspektimit, siç ka mësuar Gazeta Online ‘Reporteri.net’ është bërë me kërkesë të vetë kompanisë “AL Petrol SHPK”.

    Raporti shpërfaqë se mostra e naftës që i është bërë ekspertizë është marrë nga dy cisterna të kompanisë “AL Petrol SHPK”, dhe nafta ka rezultuar, siç tregon edhe vula në fund të saj, “JO KONFOM ME DISPOZITAT RREGULLATIVE”.

    Sasia totale e deklaruar, brenda cisternave, tregohet në raport, është 31837 litra naftë. Inspektimi është bërë dy ditë para publikimit të raportit, më 30 qershor 2020 në bazë të mostrës me shenjen doganore 19-181224 dhe deklaratën R-32151.

    Dogana e Kosovës, e cila ka bllokuar cisternën në fjalë, në terminal doganor, nuk janë treguar bashkëpunues me Gazetën Online “Reporteri.net’, përkundër se pyetje rreth këtij rasti i janë dërguar disa herë gjatë këtyre jave dhe në komunikime me gazetën, zëdhënësi Adriatik Stavileci, pohonte se do të përgjigjej.

    Njëjtë, pyetjet e gazetës, nga Dogana e Kosovës ishin injoruar edhe në mars të këtij viti, kur Gazeta Online ‘Reporteri.net’ kishte raportuar se si karburantet që kompania ‘AL Petrol SHPK’ shet në pikat e ‘SHELL Kosova’ nuk janë karburante të nxjerrja nga pusetat dhe rafineritë e gjigantit holandez, ‘SHELL’.

    Reporteri.net kishte zbuluar se nafta dhe benzina që shitet në pikat e ‘SHELL’ në Kosovë importohen nga rafineri të ndryshme, e jo nga ato markës së njohur botërore, por që gjoja janë sipas standardeve të ‘Royal Dutch Shell’.

    Pikat e karburanteve ‘SHELL Kosova’, nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’

    Sikurse Doganat, edhe vetë kompania ‘AL Petrol SHPK’ nuk është deklaruar në pyetjet e dërguara rreth rastit të bllokimit të cisternës së tyre në terminalin doganor.

    Për raportimin në mars të këtij viti, që gjithashtu lidhet me cilësinë e naftës së kësaj kompanie e cila operon me licesen “SHELL” në Kosovë, pronari i “AL Petrol SHPK” Latfi Kryeziu kishte kërcënuar Gazetës Online ‘Reporteri.net’. Kjo kishte ndodhur vetëm pak ditë pas publikimit të artikullit.

    “AL-Petrol SHPK”, sipas të dhënave në ARBK, u themelua në qershor të vitit 2003. Deirsa nga maji i vitit 2018 operon në Kosovë nen licensen e gjigantit ‘SHELL’. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!