Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personin A.B., i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
A.B. dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi gjatë ushtrimit të detyrave të tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete dhe personave të tjerë, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive, duke vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “kontratë për shitblerje’’.
Në kuadër të veprimeve hetimore, personi me inicialet M.B., shtetas i Serbisë, i cili aktualisht ndodhet në arrati, i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë. Prona në fjalë ka sipërfaqe 55.89 metra katrorë dhe gjendet në Zonën Kadastrale në Matiçan.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.