Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë të hënën, më 16 nëntor, duke vazhduar trendin rënës, si pasojë e pritjeve për tepricë të furnizimit në tregun global.
Nafta Brent ka rënë për 1 për qind, në 86.06 euro për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ka shënuar rënie prej 0.7 për qind, në 79.73 euro për fuçi. Rimëkëmbja e dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit, zbutja e shqetësimeve gjeopolitike dhe mundësia e furnizimeve shtesë kanë zhvendosur vëmendjen e investitorëve nga mungesa e mundshme drejt mbifurnizimit të tregut.
Rënia vjen pas një jave të dobët, gjatë së cilës Brent dhe WTI kishin rënë përkatësisht me 16 dhe 13 për qind, duke shënuar korrigjim të ndjeshëm nga nivelet më të larta të tetorit. Kjo lidhet me përmirësimin e furnizimit global dhe rivlerësimin e rreziqeve gjeopolitike që lidhen me luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) pret që tregu global i naftës t’i rikthehet tepricës së furnizimit në tremujorin e katërt të vitit 2026, me prodhimin që pritet të arrijë mesatarisht në 105 milionë fuçi në ditë dhe të tejkalojë kërkesën për 1.7 milionë fuçi në ditë. Vetëm gjatë tetorit, prodhimi global u rrit me 2.3 milionë fuçi në ditë, duke arritur në 105.4 milionë fuçi, ndërsa rezervat globale u shtuan për 52 milionë fuçi, rritja e parë mujore që nga qershori.
IEA ka bërë të ditur gjithashtu se deri në fund të shkurtit do të vihen në dispozicion 71 milionë fuçi nga rezervat emergjente të vendeve anëtare, përfshirë 15 milionë fuçi naftë dizel. Këto furnizime shtesë pritet të lehtësojnë mungesën e produkteve të rafinuara të naftës dhe të përforcojnë furnizimin në tregun global.
Ndërkohë, sot në rajonin e Prishtinës një litër naftë është tregtuar me një çmim mesatar prej 1.78 eurosh. Për krahasim, Ministria e Industrisë (MINTI) kishte raportuar më 11 nëntor një çmim mesatar prej 1.79 euro për litër. Kështu, rënia e çmimit të naftës po reflektohet ngadalë në tregun vendor.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) kishte njoftuar më 11 nëntor se çmimi mesatar i naftës kishte rënë nga 1.83 në 1.79 euro për litër, ndërsa ai i benzinës kishte arritur në 1.43 euro”.