Një person është gjobitur me 500 euro nga Policia e Kosovës, pasi kishte mbledhur mbeturina në një fushë në Prizren dhe më pas u kishte vënë zjarrin.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 6 tetor në lagjen Arbana të Prizrenit, ku personi është hasur nga patrulla e Stacionit Policor Prizren-Veri.
“Me datën 06 tetor 2026, policët patrullues të Stacionit Policor Prizren-Veri, gjatë patrullimit në lagjen Arbana në Prizren, kanë hasur një person i cili kishte mbledhur mbeturinat nga fusha dhe ua kishte vënë zjarrin, duke ndotur ambientin përreth”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bëri të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh.
“Patrulla policore, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka gjobitur kundërvajtësin me 500 euro gjobë”, thuhet më tej në njoftim.
Policia ka paralajmëruar qytetarët se ndezja e zjarreve në hapësira të hapura paraqet rrezik për përhapjen e zjarrit, dëmtimin e pronës dhe rrezikimin e qytetarëve, si dhe shkakton ndotje të ambientit.
“Ky veprim, nëse nuk dëmtohet prona apo qytetarët, konsiderohet kundërvajtje dhe në të gjitha rastet policia do të ndërmarrë masa të bazuara në ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.