Serbët e larguar nga Policia e Kosovës në pjesën veriore duhet të kompenzohen nga misioni i KFOR’it, kërkoi ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Katastrofike” e quajti ai zëvendësimin e ktëyre policëve serbë me pjesëtarë shqiptarë të Policisë së Kosovës.
Ndonëse tha se nuk pret që KFOR’i të shërbejë si forcë policore, Vuçeviç u shpreh se është e rëndësishme “që fundamentalisht të kryejë detyrat në lidhje me sigurinë e të gjithë qytetarëve”.
“KFOR’i duhet të sigurohet që njësitë speciale të Kosovës të mos hynë në veri të Kosovë tani, që gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë të mos i trajtojnë rastet kundër serbëve”, tha ai.
Nga Policia e Kosovës janë larguar gjithsejt 578 pjesëtarë serbë, lajmëroi në konferencë për media të hënën ministri kosovar i brendshëm, Xhelal Sveçla, shkruan Reporteri.net.
Zv/kryeministri serb tha se Bashkimi Evropian duhet të deklarohet nëse, siç tha ai, Kryeministri i Kosovës “e ka anuluar Marrëveshjen e Brukselit”.
“A është e mundur që Albin Kurti të jetë më i fuqishëm se ajo që është garantuar nga BE, a do të devijojmë nga aktet dhe marrëveshjet e ligjshme? Atëherë gjithçka është e pakuptimtë dhe shkojmë në një rrugë qore. Vetëm se atëherë do të jetë gjë hipokrite të thirren dyja palët për vetëpërmbajtje”, tha Millosh Vuçeviç për Tv Pink.
Ai tha se situata në pjesën veriore të Kosovës është aktualisht e qetë, por se “mbetet skajshmërisht e brishtë” pas daljes së serbëve nga institucionet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënë në një konferencë për media ka thënë se dalja e serbëve nga institucionet nuk ka të bëjë as me çështjen e targave dhe as me shkarkimin e komandantin rajonaë të Policisë së Kosovës për Mitrovicë të Veriut, por me refuzimin zyrtar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka bërë planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi./Reporteri.net/