×
  • Lajme
  • Lajme

    Në Serbi të alarmuar ndaj anëtarësimit eventual të Kosovës në OKB, kërkojnë ndihmën e Kinës dhe të Rusisë

    Reporteri
    21 Shtator 2022 | 11:51
    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Serbe, Miroslav Aleksiç

    Ekzistojnë veprime të përshpejtuara diplomatike për futjen në agjendë të anëtarësimit të Kosovës në Kombe të Bashkuara, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Partisë Popullore Serbe, Miroslav Aleksiç, raportoi e përditshmja serbe “Danas”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Serbia duhet “me urgjencë”, tha ai, “t’u dërgojë letra identike presidentit rus [Vladimir Putin] dhe atij kinez [Xi Jinping] që të vendosin veton ndaj kësaj futjes në agjendë të anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

    Në kërkesën e tyre, kjo parti kërkoi që Presidenti i Serbisë të informojë publikun pas dërgimit të letrave. Kjo gjë, tha ai, “duhet të bëhet sa më shpejtë”.

    Aleksiç rikujtoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në seancën e fundit parlamentare pranoi propozimin që t’u kërkojë Rusisë dhe Kinës vendosjen e veto-s ndaj Kosovës në Këshillin e Sigurisë.

    Propozimi i kësaj letre shkruan se Serbia “vendosmërisht kundërshton afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vazhdojë ta kundërshtojë edhe në të ardhmen”.

    “Prandaj, u kërkojmë juve që, në rast se çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB ngritet në Këshill të Sigurimit, Federata Ruse dhe Republika Popullore e Kinës të ndalojë iniciativën e tillë duke përdorur të drejtat dhe instrumentet që gëzojnë si Anëtarë të Përhershëm, përfshirë të drejtën e veto-s”, ka thënë politikani serb.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ditë më parë në New York, ka thënë se “në asnjë mënyrë” Serbia nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, ndonëse ka thënë se “nuk përjashtohet që Serbia të vendoset para një ultimatumi”, shkruan Reporteri.net.

    Vuçiç ka thënë se në rast se Kosova anëtarësohet në OKB, kjo gjë do të ishte e pakthyeshme./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!