Partitë opozitare kanë kritikuar të premten Qeverinë Kurti për menaxhimin e sektorit të energjisë elektrike, duke kërkuar llogari nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për importin e rrymës, shpenzimet për blerjen e saj, prodhimin vendor dhe funksionimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, një prej pyetjeve bazike drejtuar ministers Rizvanolli ishte nëse qytetarët do të kenë rrymë gjatë dimrit, pasi thane se shumë fshatra aktualisht po përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Poashtu, si kërkesë llogarie, u lëshua edhe një audio-incizim ku dëgjohej kryeministri Albin Kurti duke deklaruar se Qeveria do të synojë uljen e çmimit të energjisë elektrike, çka opozitarët pyetën nëse do të ndodhë një gjë e tillë, shkruan Reporteri.net.
Ndër deputetët opozitar që kërkuan llogari nga ministrja Rizvanolli ishin Hykmete Bajrami e Janina Ymeri nga LDK, Ganimete Musliu e Arben Mustafa nga PDK dhe Burim Ramadani nga Aleanca.
Ministrja Rizvanolli flet përsëri për ditë të vështira që po vijnë për çmimin e rrymës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dje foli për investimet që po bëhen në KEK për përmirësimin e infrastrukturës prodhuese.
Ajo ka thënë se krizat globale që po përsëriten, e kanë bërë çmimin prej 500 euro për megavat/orë të duket si diçka e zakonshme.
“Krizat po përsëriten. I kanë bërë çmimet 500 euro për megavat orë si diçka e zakonshme”, ka shtuar ajo.
Tutje, ajo ka përmendur mbylljen e Ngushticës së Hormuzit si një zhvillim që ka shkaktuar probleme të mëdha.
“Jam e vetdijshme që sektori i energjisë ka sfida në muajt në vijim, Kur çmimet në tregjet ndërkombëtare janë të larta, e kur konflikti në Iran e mbyllja e ngushticës së Hormuzit kanë krijuar probleme të mëdha jo vetëm për Evropën por edhe globalisht”, ka shtuar tutje ajo.
Bajrami lëshon audio-incizimin e Kurtit për uljen e çmimit të energjisë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dje në Kuvend, lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet kryeministri Albin Kurti duke deklaruar se Qeveria do të synojë uljen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi”, dëgjohej të thotë Kurti në incizimin e lëshuar nga Bajrami.
Pas lëshimit të audio-incizimit, Bajrami ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar nga ajo që të flasë për planet dhe masat konkrete për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Po na duhet herë pas here me i sjellë këto fakte, edhe pse qytetarët e Republikës e dinë, po siç po duket ju, kolegë deputetë, i keni harruar”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami ka theksuar se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duhet të japë llogari për punën dhe rezultatet gjatë mandatit të saj.
“Kishte qenë mirë tash të na i tregoni planet, si do ta parandaloni ngritjen e energjisë elektrike, e cila po paralajmërohet prej zyrtarëve të ZRRE-së në fillim të vitit tjetër, e tjera, po jo me fol për historinë… Zonja ministre, sot bëhen 5 vjet, 7 muaj e 22 ditë që ju jeni ministre e këtij dikasteri. Jo, është dashur 22 ditë, ju është dashur që të bëni diçka më tepër sesa të krahasoheni me të kaluarën”, ka deklaruar Bajrami.
Ymeri kritikon importin, shpenzimet dhe menaxhimin e KEK-ut
Edhe deputetja tjetër e LDK-së, Janina Ymeri, adresoi kritika ndaj Qeverisë për gjendjen në sektorin e energjisë, duke përmendur importin e energjisë elektrike dhe shpenzimet për të.
Sipas saj, në periudhën nga ora 17:00 deri në 18:00 ishte planifikuar importi i 275 megavatëve, me çmim mesatar prej 162 eurosh për megavat, që i bie mbi 46 mijë euro për vetëm një orë.
“Sa për gjendjen elektroenergjetike sot, importin nga ora 17:00 deri në 18:00, është planifikuar 275 MW dhe çmimi mesatar është 162 euro, pra për momentin që ne flasim, dhe dikush pallavra, dikush të vërtetën, na kushton ora që duhet të jetë me çmim mesatar mbi 46 mijë euro. Vetëm për këtë orë që po flasim ne. Kjo është edhe gjendja mbas 6 vjet qeverisje, në sektorin e elektroenergjetikës”, tha Ymeri, raporton Kosovapress.
Ymeri poashtu kritikoi menaxhimin e KEK-ut, duke përmendur punësimin e 777 personave gjatë vitit 2025, rënien e fitimit dhe të prodhimit të energjisë si dhe realizimin e pjesshëm të investimeve kapitale. Ajo ka ngritur edhe çështjen e sigurisë në punë pas vdekjes së katër punëtorëve si dhe ka akuzuar për manipulime në tregun e energjisë, duke përmendur disa kompani dhe persona. Ajo kritikoi edhe marrëveshjen për “Elektroseverin” dhe furnizimin me energji në veri.
Por, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i është përgjigjur kritikave të Ymerit për “Elektroseverin”.
“Është e vërtetë që e kemi finalizuar marrëveshjen në 2022, mirëpo kjo është e bazuar në një marrëveshje të cilën na nuk e kemi dashtë të vitit 2013, mirëpo as atë nuk keni qenë në gjendje me realizu. Është dashur me ardhur ne pas 11 vjetëve edhe me filluar faturimi edhe me filluar pagesa atje”, tha Rizvanolli.
PDK: Në shumë fshatra s’ka rrymë
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha dje se derisa në Kuvendin e Kosovës u debatua për energjinë elektrike, se në shumë fshatra të Kosovës s’ka rrymë.
Ajo ka thënë se s’po i kërkon ministres Rizvanolli që të mos vjedh, duke thënë se nga ajo kërkon vetëm të përgjigjet nëse qytetarët do të kenë rrymë gjatë dimrit dhe që ta lirojë çmimin e rrymës.
“E nderuara ministre, vjedhni sa të mundni. Ajo carë po të them unë ty sot e për çfarë po kërkoj prej teje sot, a kanë me pasë qytetarët rrymë edhe a ka me u liru çmimi se u mbytën tu pagu. Jam dalë me të thanë garanto furnizim me rrymë 100 % për dimër. Liroje çmimin e rrymës”, ka thënë Musliu.
“Ata që vjedhin e manipulojnë e kanë vendin tjetër kund. Nga ju ministre e Svecla e Murati, që jeni në ministri të njëjta nga 2020-ta s’pres justifikime boshe. Jo çka keni bo ju, jo se keni bo këto, dil fol çka ke bo ti. Çka ke bo që qytetarët mos me e ndje mungesën e rrymës”, ka shtuar ajo.
Kritika nga PDK ndaj Qeverisë për menaxhimin e rrymës dha edhe deputeti Arben Mustafa, , duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet Kosova janë pasojë e planifikimit, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së dobët të kapaciteteve ekzistuese.
Ai ka vënë në pikëpyetje edhe përgatitjet e Qeverisë për sezonin e dimrit, duke rikujtuar se një task-forcë e ngjashme ishte formuar edhe në vitin 2021, kur ishte hartuar një raport me rekomandime, për zbatimin e të cilave, sipas tij, ende nuk ka përgjigje.
Mustafa ka kërkuar të dihet se çfarë ka ndodhur me raportin e vitit 2021 dhe cilat rekomandime të tij janë zbatuar, ndërsa ka kritikuar faktin se edhe pas disa vitesh masa kryesore e paralajmëruar nga Qeveria mbetet formimi i një task-force të re.
“Është e vërtetë se tregu ndërkombëtar i energjisë është përballur me zhvillime dhe sfida të shpeshta. Por para se të flasim për faktorët e jashtëm, duhet të flasim për përgjegjësitë tona të brendshme. Sepse një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet sektori i energjisë në Kosovë lidhet me planifikimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve tona ekzistuese. Pra sot, në vend se të flasim për kapacitete të reja, fatkeqësisht, tema kryesore na është kthyer te remontet e kapaciteteve ekzistuese, të cilat nuk po kryhen me sukses dhe po dështojnë njëra pas tjetrës. Së pari, duhet të ndalem te përgatitjet e qeverisë për këtë dimër. Në një paraqitje televizive, ministrja e Ekonomisë ka përmendur se si një nga masat kryesore për këtë dimër e ko formimin e një task force, ku do të përfshihen aktorët kryesorë të sektorit të energjisë. Një mekanizëm të ngjashëm ministre e pat krijuar edhe në vitin 2021; madje atëherë ishte përgatitur edhe një raport me rekomandime. Dhe sot pyetja është ku ka mbetur raporti i vitit 2021, cilat nga rekomandimet e tij janë zbatuar dhe cilat kanë mbetur vetëm në letër? Nëse pas gjithë kësaj kohe, zgjidhja jonë kryesore vazhdon të jetë krijimi i një task force tjetër, atëherë pyetja është çfarë kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve për ta bërë Kosovën më të përgatitur për dimra të vështirë? Dhe këtu shtohet një pyetje tjetër themelore: a kanë ndonjë arsye sot qytetarët e Kosovës me besuar se mund të mbështeten në planin e qeverisë për ta përballuar dimrin, apo mbetet vetëm të luten dhe të shpresojnë që këtë vit të kemi një dimër më të butë?”, tha Mustafa.
Deputeti i PDK-së ka kritikuar edhe menaxhimin e njësive prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke thënë se pas përfundimit të remonteve, disa prej tyre kanë pasur ndalesa të përsëritura të paplanifikuara.
Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti, njësia A4 ka pasur katër ndalesa të paplanifikuara, A5 tri, ndërsa B2 pesë ndalesa.
Ai ka paralajmëruar se këto ndërprerje kanë kosto të drejtpërdrejta për vendin, pasi mungesa e prodhimit vendor e detyron Kosovën të importojë energji me çmime më të larta, të cilat më pas reflektohen në faturat e konsumatorëve.
“Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë këtij viti, pas përfundimit të remonteve, njësia A4 ka pasur katër ndalesa të paplanifikuara, njësia A5 tre ndalesa, njësia B2 pesë ndalesa të paplanifikuara. Pra, as remontet janë gjithsej dymbëdhjetë ndalesa të paplanifikuara vetëm në këto tri njësi. Dhe këto ndalesa kanë kosto të drejtpërdrejta. Sa herë që njësitë tona nuk prodhojnë energji, Kosova detyrohet të importojë energji me çmime shumë më të larta sesa atë të prodhimit vendor, dhe në fund këto çmime më të larta u bartën konsumatorëve, qytetarëve tanë në faturat e tyre të energjisë”, shtoi Mustafa.
Ramadani: Për 5 vjet e gjysmë u importua rrymë mbi 1 miliard euro
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se Qeveria duhet të sqarojë se çfarë masa ka marrë për ta rritur prodhimin vendor e modernizuar kapacitetet ekzistuese dhe se duhet të japë llogari për vonesat në realizimin e projekteve dhe “rezultatet e munguara”.
Ai përmendi shifrat e importit, ku tha se për pesë vjet e gjysmë është importuar rrymë në vlerë prej 1 miliard e 55 milionë euro.
“Dje është blerë rrymë 938 mijë euro, pra rreth 1 milionë euro blerje të rrymës, e që mund të jetë një prej ditëve që më së paku ka kushtuar. Gjatë viteve 2021 e deri në tetor 2026, pra për pesë vjet e dhjetë muaj, rryma është blerë edhe shumë edhe shtrenjtë. Janë hiç më pak se 1 miliard e 55 milionë që është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë”, ka deklaruar Ramadani.
Ai tha se me këtë shumë do të mund të ndërtohej pothuajse një termocentral i ri.
“A e dini që me 1 miliard pothuajse ish ndërtu komplet një termocentral i ri? Shifrat janë të tmerrshme, e papërgjegjësia e pafalshme”, tha Ramadani.
Debati u zhvillua dje në një kohë kur punëtorët e KEK-ut po mbajnë protesta, ndërsa çështjet e investimeve, sigurisë në punë dhe furnizimit me energji kanë qenë pjesë e diskutimeve.
Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë vazhdimin e protestës më 19 nëntor. /Reporteri.net/.