×
  • Lajme
  • Lajme

    Nënkryetari i PDK-së: Pa LDK-në nuk përmbyllet marrëveshja me Serbinë

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 17:17

    ZV. kryeministri Enver Hoxhaj, njëherit nënkryetar i PDK-së ndërsa ka folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se kjo çështje nuk mund të mbyllet pa e pasur mbështetjen e partive opozitare, siç janë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV).


    “Por uniteti për dialog, duhet të jetë unitet edhe për opozitën. E di cilat janë qëndrimet e tyre, nuk jam këtu që të jap këshilla, por kjo çështje nuk mund të mbyllet pa mbështetjen e LDK-së, e cila edhe me të mund të mbyllet shumë vështirë, dhe pa mbështetjen e VV-së. Mendoj, sidomos LDK-ja, që kemi qenë bashkë në procese të rëndësishme duhet të reflektojnë, por nëse ka mbështetje dhe nga VV-ja do të ishte në interes të vendit”, ka dekalruar Hoxhaj.

    Kurse për platformën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, thotë se mund të shndërrohet në një dokument të pavlerë, nëse nuk krijohet një unitet politik për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Mendoj që platforma që e kemi miratuar në Kuvend, që është një dokument shumë i mirë si dhe ekipi negociator që përfaqëson partitë politike, mund të shndërrohet në të pavlerë, nëse ne nuk krijojmë një unitet politik për shpejtësinë e dialogut. Realisht për çka e kemi bërë ekipin, platformën, për çfarë kemi deklaruar se do të jemi një koalicion i vendimeve të mëdha…?”, theksoi ai.

    Sipas tij, nuk ka qëndrim të unifikuar tek partitë politike sa i takon çështjes së taksës dhe vazhdimit të dialogut.

    “Mjerisht Kosova nuk ka ndonjë qëndrim të unifikuar sa i përket taksës. Kam përshtypjen që nuk ka qëndrim të unifikuar edhe sa i takon dialogut. Sigurisht që të gjithë jemi të përkushtuar për dialog, por përkushtimi dhe vullneti politik nëse nuk përcillet me veprime konkrete nuk prodhon situata të reja”, tha Hoxhaj për Telegrafi.

    Tutje, zv. kryeministri potencoi se bindja e tij dhe e PDK-së, si partnerë të koalicionit është që viti 2019 mund të shndërrohet në një vit historik.

    “Nëse ne si partnerë të koalicionit kemi një qëndrim unik që ta pezullojmë taksën, t’i japim një shans dialogut. Ndërsa në përvojën time, ku pothuajse 10 vjet jam marrë me tema të politikës së jashtme, shtatë vjet kam qenë Ministër i Jashtëm, por kam qenë po ashtu pjesë e negociatave në Vjenë në vitin 2006-2007, asnjëherë nuk kam parë vendosmëri më të madhe amerikane se sa në vitin 2019 dhe vendosmëri më të madhe evropiane për të arritur një marrëveshje të madhe historike me Serbinë, që na siguron karrigen në OKB”, ka thënë Hoxhaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!