×
  • Lajme
  • Mjekësi
  • Lajme

    Nga nesër nis dhënia e dozës së tretë të vaksinës antiCOVID në Kosovë

    Reporteri
    08 Dhjetor 2021 | 10:00

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga e enjtja, 9 dhjetor, do të fillohet me administrimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.

    Deri sot, në Kosovë janë dhënë vetëm 2 doza.

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19 në takimin e mbajtur dje, në funksion të zbatimit të Planit të përditësuar për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19,  ka vendosur që duke filluar nga nesër (09.12.2021) të fillohet me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.

    Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë.

    Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

    Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.

    Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, – emaili dhe njoftimeve publike.

    Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!