×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Dialogu e integrimi

    Ngërçi për Presidentin, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale

    Reporteri
    06 Mars 2026 | 20:49

    Gjermania ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë për çështjen e presidentit. Presidentja Vjosa Osmani nxori sot dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisi konsultat për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Në Konferencën Federale të Shtypit në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale në vend.

    “Kosovës i duhen institucione funksionale”, tha ai.

    Sipas qeverisë gjermane, kjo është e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Integrimi i Serbisë dhe Kosovës në BE mund të arrihet vetëm përmes këtij dialogu të normalizimit”, u shpreh Giese, transmeton DW.

    Parlamenti i Kosovës dështoi ta zgjedhte presidentin e vendit. Situata institucionale tani pritet të sqarohet përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e presidentes, Kosova mund të përballet me zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti.

    Gjermania ka interes politik për një Kosovë të qëndrueshme, sepse siguria në Ballkanin Perëndimor konsiderohet strategjikisht e rëndësishme për Evropën. Që nga viti 1999, Gjermania merr pjesë në misionin e NATO-s Kosovo Force (KFOR) dhe aktualisht mund të dislokojë deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në vend në rast nevoje.

    Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj situatës, ku ka thënë se i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit.

    Nga BE kanë deklaruar se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Tani, po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar një zëdhënës i BE’së./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!