×
  • Lajme
  • Lajme

    Ngjarjet në Veri refuzim zyrtar i planit franko-gjerman nga Vuçiç, vlerëson Glauk Konjufca

    Reporteri
    07 Nëntor 2022 | 13:30
    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

    Tërë situatën e krijuar me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e sheh për veprim të presidentit serb, Aleksandar Vuçi, si “refuzim zyrtar” të planit franko gjerman, tha ai në një konferencë për media këtë të hëne, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ajo çfarë ka ndodhur është refuzim zyrtar i Vuçiç-it për planin franko-gjerman”, deklaroi Konjufca, derisa shtoi se të gjitha veprimet e Listës Serbe ditëve të fundit janë asgjë më shumë se të dirigjuara nga Vuçiç.

    “Por, pse e shfrytëzoi këtë Serbia? Sepse erdhi momentumi i saj që ta kundërshtojë planin franko-gjerman; sepse targat në të vërtetë nuk janë temë që të shkaktojnë përplasje të nivelit global”.

    Kosova nuk dorëzohet, qe i prerë Konjufca, derisa shtoi se përpjekja e kahershme serbe është krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë .

    Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë artikuloi të njëjtën gjë kur tha se situata e krijuar mund të ketë lidhje me planin franko-gjerman. “Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër”, tha Kurti, transmeton Reporteri.net.

    Se plani franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, hiç më larg se dy ditë më parë e konfirmoi edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.

    Daçiç ka thënë se plani franko-gjerman e merr për fakt të kryer pavarësinë e Kosovës dhe se marrëveshja ndërtohet mbi këtë premisë.

    “Qëndrimi i Serbisë është i qartë, ai plan nis nga baza e papranueshme, nga fakti që çështja e zgjidhjes politike konsiderohet e përfunduar dhe se ne vetëm duhet ta pranojmë, me dëshirë apo pa, me zë a heshtur, pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Ivica Daçiç të premten e 4 nëntorit.

    Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një numër rastesh ka thënë se është e papranueshme për Serbinë të lejojë anëtarësimin e papenguar të Kosovës në organizata ndërkombëtare e veçanërisht në OKB, ku shtetësia e Kosovës do të finalizohej në rrafshin ndërkombëtar./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!