×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Njoftimi

    Një ditë para seancës për nënkryetarët, Hamza takohet me Prattipatin: Bllokada duhet të marrë fund

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 17:52

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur të enjten në takim të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

    Sipas një komunikate të PDK-së, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik e institucional.

    Hamza ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, ndërsa ka kritikuar veprimet e partisë së parë, të cilat, sipas tij, kanë prodhuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale.

    Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një Kuvend funksional dhe për rikthimin e rendit kushtetues e demokratik.

    “Bllokada duhet të marrë fund dhe përgjegjësia për krijimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të tjera”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

    Sipas kësaj partie, në takim është diskutuar edhe për rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nevojën për koordinimin e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!