×
  • Lajme
  • Lajme / "E papritur"

    Një i dorëhequr “prish konsensusin” brenda LDK’së, familjari i Besnik Bislimit synon t’ia marrë Lumir Abdixhikut postin e kryetarit

    Reporteri
    13 Nëntor 2023 | 20:15

    Vetëm pak orë pasi gazeta online Reporteri.net ka raportuar se LDK’ja ka arritur një konsensus brenda saj që Lumir Abdixhiku të dielën të jetë kandidati i vetëm për kryetar të partisë, një kundër-kandidaturë “e papritur” është paraqitur në facebook. 

    Faton Bislimi, familjar i Besnik Bislimit të LVV’së, i cili para pak muajsh ka njoftuar dorëheqjen nga kryesia e LDK’së ka bërë të ditur se ka vendosur që të kandidojë për pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e dhjetë zgjedhor që do të mbahet më 19 nëntor.

    Bislimi theksoi se beson ‘fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova’.

    “Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së.”, ka njoftuar Bislimi.

    Lumir Abdixhiku, kandidati i vetëm për kryetar të LDK’së – 3 gra “në garë” për nënkryetare të partisë

    Postimi i plotë:

    Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së

    “Unë besoj fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova.

    Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk rreshtën së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”.

    Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë. Si atëherë, ashtu edhe tani, unë zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, ofroj gjithëçka nga vetja ime!

    Dorëheqja ime nga Kryesia ishte akt moral dhe paralajmërim i drejtpërdrejtë që rruga që kishte zgjedhur LDK-ja nën këtë udhëheqësi ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themeltare dhe idealet kombëtare për të cilat do duhej të qëndronte LDK! Tani që po i afrohemi Kuvendit të Dhjetë Zgjedhor, po afrohet edhe momenti i mundësisë së rikthimit të LDK-së tek këto vlera e ideale!

    Në një kohë kaq kruciale për shtetin tonë, LDK-ja ka rol esencial dhe historik, ashtu siç kishte në të kaluarën kur ishte bërë kurriz i ruajtjes së qenjes kombëtare shqiptare në Kosovë, si dhe themel i procesit të shtetndërtimit, lirisë e pavarësisë. Sukseset më të mëdha e më meritore të LDK-së janë shënuar kur ajo është udhëhequr nga dashuria vetmohuese për shtetin.

    Sot, janë të panumërt njerzit e mirë të LDK-së që ndjehen të papërfaqësuar nga LDK e anatemuar jo vetëm ideologjikisht por edhe praktikisht. Ka një armatë të tërë aktivistësh e kontributdhënësish – që nga kohët më të vështira – që janë të pakënaqur me drejtimin e LDK-së e tanishme. Ka shumë figura emblematike që asnjëherë nuk iu dha as respekti dinjitoz e i merituar.

    Unë besoj në vlerat e përbashkëta që duhet të ofrojë LDK-ja. Besoj dhe angazhohem për secilin që e sheh LDK-në si strumbullar të zhvillimeve pozitive për shtetin dhe kombin. Besoj në vendin meritor dhe vlerësimin adekuat që duhet dhënë për secilin që nuk kurseu asgjë nga vetja për të mirën e vendit përmes LDK-së. LDK-ja e vërtetë është ndërtuar e mbajtur nga puna vullnetare e aktivistëve të saj, nga kontributdhënësit e përkrahësit pa asnjë kusht, nga ai mësuesi e ajo mjekja që punonin pa kompenzim, nga ai ushtari i lirisë që luftën e bënte për shtet e jo për pushtet, nga ata mërgimtarët tanë që ndanin jo vetëm kafshatën e gojës por edhe gjithëcka tjetër që u kërkohej, vetëm e vetëm për ta mbajtur në këmbë idenë e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. E kjo ide ishte frymëzimi i krejt Kosovës. Kjo ide e lirisë e pavarësisë, anipse fillimisht dukej e pamundur, u bë realitet, u arritë nën lidershipin e Presidentit Rugova dhe njerëzve më intelektualë e të urtë të kohës, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, u likuiduan mizorisht nga dorë e zezë antikombëtare edhe pas agut të lirisë.

    LDK nuk rritet e ringritet duke anashkaluar, përjashtuar, e përbuzur, por duke përbashkuar, respektuar, e mirënjohur secilin që ndanë besimin për të.

    Derisa të panjohurat e së nesërmes na sjellin dilemat e tanishme, e kaluara na jep mësimet. Të frigohemi nga shpërfaqja e bindjeve tona të përzemërta është të mohojmë vetën. Të ruajmë të mbyllura në vete qoftë kontradiktat apo edhe dashamirësitë është devijuese ndaj progresit njerëzor e po ashtu edhe politik. Në dallime e kundërshti nuk duhet ligështuar; përkundrazi, duhet frymëzuar. Të definohemi nga ajo që na përbashkon është shumë më frutdhënëse sesa nga ajo që na dallon. Unitet në dallime – është vlera më e rëndësishme e busollës së orientimit tim politik. Andaj, 19 nëntori është shanci, ndoshta edhe i fundit, për ruajtjen e LDK-së se vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare. Për secilen e secilin që përnjëmend ka besuar e beson në këto vlera e ideale, zgjedhja do jetë e lehtë atë ditë. Vetëm një LDK e tillë do të mund të sfidojë në mënyrë triumfaliste narrativën e atyre që përmes populizmit të skajshëm e pseudonacionalizmit kapën majat e pushtetit. E ky është shërbimi më i madh që do i bënim vendit, shtetit dhe gjeneratave të ardhëshme.

    Bashkë, ia dalim. Po, mundemi! Mundemi sepse askush e asgjë nuk është më e fuqishme se bindja e besimi.

    Lajmi në Zhvillim
    Lumir Abdixhiku, kandidati i vetëm për kryetar të LDK’së – 3 gra “në garë” për nënkryetare të partisë
    13 Nëntor, 2023 - 16:40

    Lidhja Demokratike e Kosovës do e mbajë Kuvendin e dhjetë zgjedhor me 19 nëntor.

    Përmes këtij kuvendi zgjedhor do të zgjidhet apo rizgjidhet kryetari i këtij subjekti politik dhe kryesia e re.

    Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, Lumir Abdixhiku është kandidati i vetëm për kryetar dhe se deri më tash nuk është paraqitur ndonjë kundër kandidaturë tjetër për këtë post.

    Kandidatura e Lumir Abdixhikut, si i vetëm në garë, është edhe konsensus i brendshëm politike brenda kësaj partie – kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës online Reporteri.net brenda LDK’së.

    Me 19 nëntor Lumir Abdixhiku, para delegatëve pritet të shpalos edhe programin politikë “Rruga e Re”, platformë politike e tij, e prezantuar vetëm disa pjesë, deri më tani.

    Pos, postit të kryetarit, Abdixhiku ka në duar të e zgjedh edhe kryesinë e re të partisë. Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili e Sibel Halimi, janë tre gratë që po diskutohen për të marrë pozitë të nënkryetares në LDK – merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK’së me 14 mars 2021, pas dorëheqjes të Isa Mustafës, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të atij viti. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2021, LDK-ja kishte fituar vetëm mbi 12 për qind të votave.

    Në vitin 2021, për postin e të parit të LDK’së, Abdixhikun e kishin sfiduar edhe Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Anton Quni. Ky i fundit ishte tërhequr nga gara krejt në fund.

    Kush është Lumir Abdixhiku?

    Lumir Abdixhiku i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017, ku dhe fitoi mandatin e deputetit.

    Studimet universitare i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar ato të magjistraturës në Universitetin Staffordshire të Britanisë në fushën e moralit fiskal. Më 2013, ka marr titullin doktor shkence i ekonomisë në Universitetin Stafforshire. Për një kohë ka qenë drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”.

    Në qeverinë e zgjedhur më 2020, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, Abdixhiku udhëhoqi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit.

    Në qeverinë pasuese, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, Abdixhiku nuk pranoi që të merrte pjesë në ekzekutiv.

    Në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, Abdixhiku sërish ka fituar mandatin e deputetit.

    Shpërndaje:
    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!