×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim rahovecianit që u rrah nga djemtë, kanosi me vdekje bashkëshorten

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 17:28
    Fotografi ilustruese.

    Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit B.B, i cili dyshohet se kanosi bashkëshorten e tij.

    Këtë vendim, gjykatësi procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, e mori të enjten, një orë pasi që ndaj dy djemve të tij, K.B dhe L.B, po ashtu kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, ndërsa ndaj të tretit, R.B, kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, për shkak se të njëjtin dyshohen se e kishin lidhur dhe rrahur atë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurori Sadri Alija, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri B.B, më 11 janar 2022, në fshatin Dobidol, shkakton dhunë në familje, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, seriozisht e kanos personin tjetër- këtu të dëmtuarën bashkëshorten e tij Sh.B, se do ta privojë nga jeta.

    Ai tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 165 të KPP, për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale dhe i njëjti mund ta përsërisë atë vepër, të arratiset apo të ndikojë në dëshmitarë.

    Sipas tij, prokuroria i ka vlerësuar të gjitha masat e tjera të parapara me nenin 173 të KPPRK-së, mirëpo në rastin konkret nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë.

    Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ismet Kerqaku, ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rendë.

    Ai ka kërkuar nga gjykata që për shkak të moshës së të pandehurit, të njëjtit t’i caktohet masa e paraburgimit prej 10 ditësh.

    Më pas, i akuzuari B.B, nuk i ka pranuar veprimet e veta duke thënë se dispozitivi i kërkesës përmban të pavërteta.

    “Ato çka po thotë prokurori nuk janë të vërteta, unë nuk kam armë për me vra familjen time”, tha i pandehuri B.B.

    Gjykatësi i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, pas deklarimit të palëve, ka marrë vendimin mbi caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke cekur se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit konform dispozitave të nenit 165 të KPPK-së.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë më 12 janar 2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit B.B, me arsyetimin se më 11 janar 2022, në fshatin Dobidol, shkakton dhunë në familje, e me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit seriozisht e kanos personit tjetër, këtu të dëmtuarën bashkëshorten e tij Sh.B, se do ta privojë nga jeta.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që si rrjedhojë e rastit që kishte i pandehuri, një natë më parë me djemtë e tij, ku ky rast ishte paraqitur në polici, i pandehuri ditën kritike i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “pse e keni sjellë punën deri këtu që të ndërhyjë policia”, ku e dëmtuar i përgjigjet se “ti ke pas problem me djemtë”, e pas kësaj i pandehuri e kanos të dëmtuarën me fjalët “kam me ble një armë dhe do ju vras të gjithëve “.

    Më pas thuhet se me t’i dëgjuar këto fjalë, anëtaret tjerë të familje, nga frika se i pandehuri vërtet do të realizojë atë që kishte thënë, një nga fëmijët me telefon e lajmëron policinë, me ç’rast me këto veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës për jetën dhe sigurinë e saj .

    Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!