Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari, e cila mungoi sot në seancën për rastin e “Rezervave shtetërore”, është arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga ana e Gjykatës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Hajdari ka shkruar se në momentin që pranon thirrje nga Gjykata për seancë, do të paraqitet.
“Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës!
Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!”, ka shkruar Hajdari.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të MINT-it, Rozeta Hajdari dhe të akuzuarve tjerë për rastin rezervat shtetërore.
Hajdari nuk ka qenë prezente në seancën e sotme.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, tha se për të pandehurën, Gjykata ka dërguar ftesë përmes postës, mirëpo deri më sot nuk kanë marrë përgjigje nëse e njëjta e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Gjyqtari tutje shtoi se në mungesë të kushteve ligjore, seanca e shqyrtimit fillestar nuk ka kushte të mbahet.
Kësisoj seanca e radhës në këtë rast është caktuar më 13 janar, në ora 09:30.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”./Reporteri.net/