×
  • Lajme
  • Lajme

    Nxënësit infektohen me koronavirus, mbyllen 4 shkolla në Gjakovë

    Reporteri
    20 Janar 2022 | 22:44

    Shkollat e Gjakovës janë bërë vatër e rasteve pozitive me COVID-19, ku për pasojë katër shkolla të kësaj komune janë mbyllur dhe kanë kaluar në mësim online.

    Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtoresha e Arsimit për Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi, e cila tha se kjo ka ardhur si rrjedhojë e infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve me koronavirus.

    Kumnova – Baçi tha për Gazetën Demos se në mësim online kanë kaluar dy shkolla te mesme të ulëta (ShMU “Mazllum Këpuska” dhe ShMU “Yll Morina”) dhe dy shkolla të mesme (ShM teknike “Nexhmedin Nixha” dhe ShM ekonomike “Kadri Kusari”).

    Drejtoresha e Arsimit tregoi për mënyrën se si ka ardhur deri të testimi nëpër shkolla.

    “Nëse mësimdhënësi apo një nxënës ka rezultuar pozitiv atëherë në bashkëpunim me ekipet mobile të QKMF kemi testuar klasën në tërësi”, tha ajo.

    Tutje Kumnova – Baçi bëri të ditur se testimet nëpër shkolla do të vazhdojnë të behen sipas kërkesave të drejtorëve apo të kujdestarëve të klasave, varësisht nga rritja e numrit të rasteve.

    Ndërkaq, e pyetur për gjendjen pandemike në shkollat e zonave rurale, ajo tha se numri i të infektuarve në ato shkolla është më i vogël.

    Momentalisht në Gjakovë të infektuar me këtë virus janë 148 nxënës dhe 58 mësimdhënës.

    Kështu pohoi Drejtoresha e Arsimit për këtë komunë, e cila tha se këta numra janë sipas raporteve zyrtare të IKSHPK-së.

    Lidhur me zhvillimin e mësimit online, ajo tha se kjo do të vazhdojë sipas rekomandimeve.

    “Drejtoria e Arsimit në Gjakovë bën apel për respektimin e masave anti-COVID nëpër shkolla dhe sipas gjendjes që do të krijohet do të vazhdojmë me skenarin A,B,C”, tha mes tjerash Eranda Kumnova – Baçi.

    Në anën tjetër, drejtori i shkollës së Mesme të Ulët “Mazllum Këpuska”, Arbënor Pozhegu, tha se për shkak të rritjes së nxënësve të infektuar me COVID-19,  nga sot janë detyruar të kalojnë në opsionin C , mësimi online.

    “Momentalisht kemi 21 nxënës të infektuar nga 8 klasë”, bëri të ditur Pozhegu.

    Ai tha se deri më tani të infektuar në këtë shkollë përveç nxënësve nuk ka mësimdhënës apo punëtorë tjerë të stafit të shkollës.

    I pyetur se prej kur ka filluar kjo valë e re infektimesh në shkollën “Mazllum Këpuska”, Pozhegu tha se gjithçka ka nisur nga data 14 janar e këtij viti, ndërsa tha se nuk dihet nëse nxënësit janë të infektuar me variantin e ri “Omicron” apo ndonjë tjetër.

    Pozhegu gjithashtu bëri të ditur se mësimi online gjatë ditës së sotme ka shkuar mirë derisa tha se nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë kështu.

    “Nuk ka një datë të caktuar, Task Forca shkollore do të mbajë mbledhje dhe do të shikojë e analizojë situatën në javën tjetër”, tha drejtori i kësaj shkolle.

    Mes tjerash Pozhegu tha se mësimi virtual konsiderohet si sfidues.

    “Është pak sfiduese sepse vetë mungesa e nxënësve në klasë është sfidë, por me angazhim mendojmë se do t’ia dalim mirë”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, nga Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” thonë se momentalisht të hospitalizuar janë 9 pacientë me COVID-19.

    Këtë e ka konfirmuar U.D. së drejtorit, Ardian Jusufi, i cili tha se gjendja e tyre është stabile.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!