Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka shprehur shqetësim të thellë për rritjen e numrit të ekzekutimeve në Iran, duke deklaruar se dënimi me vdekje vazhdon të përdoret për “të mbjellë frikë te popullsia dhe për të shtypur zërat kundërshtues”.
Sipas tij, që nga 19 marsi, të paktën 56 persona janë ekzekutuar për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare, ndërsa 27 prej tyre ishin të lidhur me protestat mbarëkombëtare kundër qeverisë të zhvilluara në janar.
Türk paralajmëroi gjithashtu se më shumë se 100 persona të tjerë rrezikojnë të dënohen me vdekje për akuza të ngjashme, ndërsa ekzekutimet për vepra të lidhura me drogën vazhdojnë me ritme shqetësuese.
Sipas organizatës Amnesty International, Irani mbetet vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve, pas Kinës. Gjatë vitit të kaluar, autoritetet iraniane ekzekutuan të paktën 2 mijë e 159 persona, shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 1981. Mes tyre ishin edhe 45 persona të akuzuar për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se autoritetet iraniane mund të shtojnë përdorimin e dënimit me vdekje ndaj kundërshtarëve politikë pas protestave të janarit, gjatë të cilave mijëra demonstrues humbën jetën, dhjetëra mijëra u arrestuan, si edhe pas konfliktit mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt.
Në deklaratën e tij, Volker Türk u bëri thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë menjëherë të gjitha ekzekutimet dhe të ndërmarrin hapa drejt heqjes së dënimit me vdekje, duke theksuar se “një ndëshkim i tillë nuk ka vend në botën tonë”.
Ai ngriti shqetësime edhe për mungesën e proceseve të rregullta gjyqësore, duke theksuar se në shumë raste rrëfimet janë siguruar nën torturë ose trajtime të tjera çnjerëzore. Sipas tij, disa ekzekutime janë kryer në publik, ndërsa në raste të tjera të dënuarit janë ekzekutuar vetëm pak javë pas arrestimit.
Komisioneri i OKB-së theksoi gjithashtu se 12 të pandehur janë dënuar me vdekje pas një seance gjyqësore me dyer të mbyllura që zgjati vetëm tre orë, çka bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane nuk reaguan menjëherë ndaj deklaratës së OKB-së, por më herët kanë mbrojtur përdorimin e dënimit me vdekje, duke argumentuar se ai zbatohet vetëm për “krimet më të rënda”.
Të hënën, autoritetet gjyqësore iraniane njoftuan ekzekutimin e dy burrave, Omid Behzad dhe Pouria Safvat, të dënuar për spiunazh në favor të Izraelit. Sipas agjencisë shtetërore Mizan, ata akuzoheshin se kishin dërguar koordinata, fotografi dhe informacione për objekte ushtarake dhe të sigurisë tek shërbimi sekret izraelit Mossad.
Ndërkohë, javën e kaluar u ekzekutua edhe 19-vjeçari Arvin Kheirkhahan, i dënuar për akuzën e “armiqësisë ndaj Zotit” për rolin e tij të dyshuar në protestat e janarit. Po ashtu, dy protestues të tjerë, Abolfazl Sepahi Badjani dhe Amirhossein Safari Hosseinabadi, u ekzekutuan publikisht në një shesh në qytetin e Isfahanit.
Ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut kanë theksuar se të 12 të akuzuarit në këtë çështje u dënuan me vdekje gjatë një seance të vetme, me dyer të mbyllura dhe pa u sqaruar përgjegjësia individuale e secilit, duke e cilësuar procesin një shkelje të rëndë të standardeve ndërkombëtare të një gjykimi të drejtë.