×
  • Lajme
  • Lajme

    Operacion i rrallë në QKUK, pacientes i hiqet cista 10 kilogramë

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 15:47

    Një ekip mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka kryer një operacion tek një grua, duke ia larguar një cist nga vezorja, i cili peshonte 10 kilogramë.


    Sipas një komunikate për media, gjatë intervenimit, pacientes i janë ruajtur organet reproduktive (mitra dhe vezorja), ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut do të lirohet shumë shpejt në shtëpi.

    Shef i Repartit të Operativës, Zef Ndrejaj, ka thënë se gjatë karrierës së tij është rasti i parë me përmasa kaq të mëdha.

    “Është një tumor i vezores, faktikisht cist i vezores së djathtë. Janë raste të shpeshta, por jo në këtë përmasë , me këtë përmasë janë shumë të ralla. Prej përvojës sime 20 vjeçare, është rasti i vetëm që e kam parë me këto përmasa”, thotë ai.

    Operimi sipas njoftimit, ka zgjatur dy orë dhe është realizuar me Thikën Ultrasonike (Ligashurën), një pajisje që e bën ndërhyrjen më të shpejtë e më të lehtë dhe, veç prerjes, kryen edhe qepjen, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë.

    “Cisti e kishte mbuluar tërë hapësirën e abdomenit. Falë aparaturës së re, operacioni ka qenë shumë i suksesshëm, ka qenë më i lehtë dhe nuk kishte asnjë komplikim”, thekson dr. Ndrejaj.

    Pacientja V. K kishte menduar së është shtatzënë, por pas ultrazërit gjinekologu i kishte rekomanduar operimin. Thotë se tash është mirë dhe nuk ka më dhimbje.

    “Kam menduar që jam shtatzënë, se fëmijë nuk kam. Kur e kam bërë ultrazërin te gjinekologu, më ka thënë që është një cist dhe duhet të operohem, patjetër. Tash, jam operuar dhe po e ndjej vetën shumë mirë”, pohon Kabashi.

    Klinika e Gjinekologjisë është pajisur me këtë aparaturë vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, me qëllim që të ofrohen shërbime më cilësore për pacientin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!