×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita serbe aktivizohet në kritika ndaj Vuçiçit rreth Kosovës, refuzojnë bisedimet për njohje

    Reporteri
    26 Gusht 2022 | 11:58
    Parlamenti i Serbisë

    Autor: Xhezair Dashi


    Ende pa u formuar qeveria dhe legjislatura e re serbe, pozitë e opozitë kanë nisur ngreveshjen politike ndaj njëri-tjetrit në lidhje me ngjarjet në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Fërkimet e brendshme dhe betejat politike për Kosovën, u nxitën në nivel edhe më të lartë pas vendimeve të reja të qeverisë kosovare për të inciuar dy masa të reja reciproke ndaj Serbisë, përkatësisht çështjen e targave ilegale ‘KM, etj.’ dhe lejeudhëtimet për shtetasit serb që udhëtojnë në dhe përmes Kosovës.

    Partia Demokratike Serbe, e akuzoi presidentin serb, se gjatë këtyre dhjetë viteve, krejt çfarë ka bërë në lidhje me Kosovën, ka qenë “drejtuar drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”.

    Partia Popullore Serbe, në krye me Vuk Jeremiç, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur në Parlamentin e Serbisë për të diskutuar rreth ngjarjeve në Kosovë, e cila pritet të mbahet në fillim të shtatorit, do të prezantojë platformë të re negociuese me Kosovën.

    Jeremiç ka potencuar se do të “vendosen vijat” ku është shkelur ligji dhe Kushtetuta e Serbisë gjatë këtyre 10 viteve negociata me Kosovën nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç.

    Kryetari së djathtës ekstreme “Dveri”, Boshko Obradoviç, ka thënë se seanca e thirrur është 10 vite me vonesë.

    Masat e propozuara nga ai, të skajshme si nga vetë karakteri i lëvizjes politike që e drejton, sipas  tij, duhet të bëhen “për të kthyer Kosovën brenda Serbisë”.

    Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjillash, ka propozuar që pozitë e opozitë të miratojnë një deklaratë të përbashkët rreth bisedimeve me Kosovën.

    Përveç akterëve politikë, ai u ka bërë thirrje që në këtë deklaratë të përfshihen edhe Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU), si dhe Universitetet.

    Të vetmen gjë që duhet të përjashtuar, ka thënë Gjillas për median serbe “Nova.rs”, është njohja e Kosovës.

    Kritikat opozitare drejtuar presidentit serb

    “Nuk e dimë çfarë Vuçiç u ka premtuar zyrtarëve ndërkombëtar, por nga ajo çfarë shohim dhe dëgjojmë, duket se krejt çfarë u mbetet qytetarëve serbë, është të dëgjojnë zyrtarisht lajmin më të pakënqashëm – që pas dhjetë viteve të qeverisjes katastrofike të SNS-së, Serbia zyrtarisht e ka humbur Kosovën”, tha nënkryetarja e Partisë Demokratike Serbe, Dragana Rakiç.

    Kryetari i SSN-së, Dragan Gjillas, në anën tjetër, ka bërë thirrje për konsensus politik, për të miratuar një deklaratë të përbashkët.

    “Një deklaratë që do t’i referohej Rezolutës 12/44, një zotim nga ana jonë që zgjidhja të bëhet përmes mënyrave ekskluzivisht paqësore dhe gatishmëri për të diskutuar për të gjitha temat, përveç njohjes së Pavarësisë së Kosovës, sepse kjo nuk mund të jetë temë në asnjë lloj të negociatave”, ka thënë ai.

    Për një deklaratë të tillë, ai u ka bërë thirrje, Kishës Ortodokse Serbe, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU), Universiteteve, që të marrin pjesë në këtë deklaratë.

    Boshko Obradoviç nga e djathta ekstreme serbe “Dveri”, bëri thirrje që “ruajta dhe mbrojtja e Kosovës të jetë të çështje mbipartiake dhe e interesit të përgjithshëm nacional”.

    Partia Popullore Serbe në anën tjetër, do të propozojë platformë të re negociuese me Kosovën, për çka edhe paralajmëruan se në seancën e re do të tregojnë “për të gjitha shkeljet ligjore dhe kushtetuese” që SNS ka bërë 10 vitet e fundit në negociata me Kosovën në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!