×
  • Lajme
  • Lajme

    Orban i del në mbështetje të hapur Dodikut në zgjedhje: “Republika Srpska është fqinj nderi i Hungarisë, Dodiku është presidenti juaj”

    Reporteri
    29 Shtator 2022 | 13:06
    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

    Në kohën kur fushata zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë ka nisur zyrtarisht, kryeministri hungarez haptazi i ka dalë në mbrojtje dhe promovim liderit nacionalist serb të Bosnjes, Milorad Dodik, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Përmes një videoadresimi, kryeministri Orban e quajti entitetin serb të Bosnjes, përkatësisht “Republika Srpska”-n, “fqinj nderi të Hungarisë”.

    “Hungaria dhe Serbia janë fqinj, por Hungaria konsideron Republika Srpska-n si fqinj nderi. Ajo çfarë ndodh në vendin tuaj është tejet e rëndësishme për neve. Afekton Hungarinë dhe tërë rajonin, por sigurisht se edhe jetët e juaja, dhe në jetët e miqëve tanë”, ka thënë Viktor Orban.

    Orban i thurri edhe lavde politikanit më problematik të rajonit, Milorad Dodikut. “Tek ai, kam takuar një njeri që është i gatshëm të ruajë paqen”, tha përkundrazi Orban.

    Ndonëse Dodik është Anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjes, Orban e quajti Dodikun “president të juajin” drejtuar votuesve.

    “Zgjedhje të rëndësishme po vinë në Republika Srpska. E njoh presidentin tuaj, zotin Dodik, i cili është mik i mirë i Hungarisë dhe popullit hungarez, gjithashtu jam krenar për miqësinë me të. Në të kam takuar një njeri që është i gatshëm të ruajë paqen dhe që është i hapur për dialog, që advokon për respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe i cili në çdo rast mbron interesat e popullit serb”, ka thënë Orban.

    “Gjithmonë kam mbështetur Dodikun dhe prandaj edhe dua të bashkëpunoj me të në të ardhmen. Shpresoj që pas zgjedhjeve do të kem mundësinë për këtë. Zoti i bekoftë të gjithë serbët anembanë Ballkanit”, përfundoi kryeministri hungarez në videoadresimin e tij mbështetës për Milorad Dodik./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!