Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se Kosova kërkon garanci nga parnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës foli për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte siç tha, më shumë paqe e siguri në rajon.
Ajo shtoi se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha “zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës”.
Presidentja Osmani i bëri komentet ndërsa ndodhet në Uashington me ftesë të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken për të marrë pjesë në takime që mbahen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s.
Të martën Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.
Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Presidente Osmani gjatë këtyre ditëve në Uashington ju keni patur takime me zyrtarë amerikanë, a mund të ndani me ne çfarë keni diskutuar?
Vjosa Osmani: Në këtë 75 vjetor të NATO-s që padyshim është një ngjarje historike për të gjitha shtetet anëtare dhe të gjitha shtetet që kanë përfituar sa i përket paqes dhe sigurisë nga kjo aleancë ushtarake dhe politike, për Kosovën është dyfish përvjetor i veçantë për shkak se është edhe 25 vjetori, përvjetor vërtet historik i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç e dini, përgjatë këtyre muajve, Kosova me një sërë aktivitetesh në vend dhe nëpërmjet ambasadave tona, kemi shënuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik të trupave të NATO-s në mënyrë që ne të arrijmë lirinë tonë dhe pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot. Prandaj ka qenë po aq më rëndësi, që për herë të parë në histori, Kosova të ftohet në aktivitete në kuadër të Samitit të NATO-s dhe jemi shumë mirënjohës për punën e bërë edhe nga zyra e Sekretarit Blinken, por edhe në përgjithësi e gjithë qeveria amerikane që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes të këtyre të arritjeve sidomos sa i përket agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Para se të fillojë pritja lidhur me këtë temë, që ishte edhe hapja e takimit të NATO-s, në fakt ishte aktiviteti i parë i takimit i organizuar në bashkëpunim me NATO-n, unë kisha një bisedë me Sekretarin Blinken dhe natyrisht diskutuam për arritjet e Kosovës. Pata mundësinë që t’i shpreh falenderimet e popullit të Kosovës për gjithë çfarë ka bërë Amerika në këto vite, por në të njëjten kohë edhe për sfidat që i kemi përpara të cilat patjetër duhet t’i zgjidhim bashkërisht. Mbrëmë kishim një takim me një numër të madh senatorësh dhe ligjvënësish që përgjatë viteve e kanë përkrahur Kosovën, por që janë edhe emra kyç do të thoja të të dyja partive sepse përkrahja për Kosovën gjithnjë ka qenë dypartiake, që do të kenë rol të rëndësishëm në përcaktimin e linjave, politikave edhe në të ardhmen. Përveç falenderimeve për kontributin e tyre natyrisht diskutuam edhe për rrugën përpara. Ndërkaq po vazhdojmë takimet edhe me udhëheqës të shteteve anëtare (të NATO-s). Ju e dini që Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s, nuk është as pjesë e partneritetit për paqe, megjithatë siç e përmenda është një arritje e jashtëzakonshme që Kosova është përfshirë në kuadër të këtij samite dhe në të njëjtën kohë në takimet me udhëheqësit veç e veç po shtyjmë para atë që është e pashmangshme që t’i hapen dyert edhe Kosovës jo vetëm për shkak të aspiratës së popullit të Kosovës, ku mbi 96 për qind janë pro anëtarësimit në NATO, por për shkak se Kosova e meriton. Kemi një ushtri e cila është ndërtuar në përputhje të plotë me standardet e NATO-s. Jemi në një linjë me politikat e NATO-s edhe në aspekt bilateral, qoftë me ushtrinë amerikane apo atë britanike, ushtria jonë po kontribuon në misione të paqes dhe të sigurisë nëpër botë. Pra, Kosova edhe pse është shtet i vogël, ka çfarë të ofrojë në një organizatë të tillë dhe jemi duke bërë hapa të rëndësishëm drejtë anëtarësimit
Një nga takimet që keni patur në Shtetet e Bashkuara është ai me ndihmës sekretarin e shtetit James O’Brian i cili u shpreh pas takimit me ju se në takim u diskutua për, siç u shpreh ai mbi “nevojën urgjente për t’u riangazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”. Ndërkohë po dje, në Prishtinë, kryetari i parlamentit Glauk Konjufca tha se Kosova nuk ka përse zbaton marrëveshjen me Serbinë përsa kohë që Serbia po e shkel atë. Përballë këtyre dy qëndrimeve të ndryshme të Uashingtonit dhe Prishtinës, si e shihni ju të ardhmen e dialogut?
Vjosa Osmani: Nuk do t’i quaja të ndryshme sa i përket qëllimeve finale të tyre. Në fakt edhe Republika e Kosovës dhe të gjitha institucionet e saj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç e ka thënë në pjesën e parë të postimit të tij në rrjetin social X zoti O’Brian, punojnë për suksesin e një Kosove të pavarur e sovrane me kufijtë e saj aktual dhe të integruar në institucionet euro-atlantike. Dialogu Kosovë-Serbi nuk është e tërë marrëdhënia Kosovë-Amerikë. Mos ta reduktojmë raportin special ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vetëm me atë që ndodh në dialogun me Serbinë.
Natyrisht është aspekt i rëndësishëm për sigurinë në rajon dhe për të ardhmen tone euro-atlantike që të ketë sukses në procesin e dialogut. Kjo është arsyeja e këmbënguljes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë të tjerë sepse sa më shumë që të ketë suksese në dialog aq më shpejtë do të bëjë Kosova hapa vendimtarë drejt BE-së dhe NATO-s.
Por duhet ta bëjmë një gjë të qartë. Në çdo kontratë, në çdo marrëveshje janë dy palë dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare që në qoftë se një palë tërhiqet nga marrëveshja, atëherë pala tjetër nuk ka asnjë detyrim që të zbatojë pjesë e saj të marrëveshjes. Ajo çfarë po insistojmë ne si Kosovë është jo që ne të ikim nga obligimet tona, por që të ketë zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka obligime për Kosovën, disa prej të cilave kanë qenë koncesione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë, të cilat në qoftë se merren në tërësinë e saj konstituojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës siç është potencuar qartë edhe nga liderët evropianë në deklaratën e tyre të 26 tetorit.
Pra, nuk mundet Serbia të deklarohet hapur dhe të dërgojë letër nga ana e Kryeministres që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë marrëveshjen dhe ne të ofrohemi si vullnetarë që gjithçka të zbatojmë pa marrë garanci në anën tjetër.
Ajo çfarë e kam thënë edhe në intervistën e fundit në fakt për Zërin e Amerikës para pak muajsh kur isha në seancën e Këshillit të Sigurimit, është kjo: në qoftë se të gjithë jemi të bindur edhe ne edhe partnerët tanë që Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë.
Nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime që i ka marrë, na duhen garanci për sigurinë, mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon.
Megjithatë zonja Presidente, ju thatë që Serbia nuk po plotëson pjesën e saj të marrëveshjes, por sa i takon Asociacionit, që është pjesa më e nxehtë e saj. Ka vëzhgues që si shtet sovran, i takon Kosovës që të hedhë hapa në këtë drejtim. Këtu po flasim për qytetarët tuaj, për atë përqindje të komunitetit serb që janë qytetarë të Kosovës. Cili është mendimi juaj në këtë rast?
Vjosa Osmani: Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni.
Kjo ka lidhje me marrëveshjen. Unë po them ju si shtet në raport me qytetarët tuaj.
Vjosa Osmani: Në raport me qytetarët tanë ne nuk do të duhej ta krijojmë përshtypjen që Asociacioni ndihmon qytetarët serbë në Kosovë. Në fakt sistemi më i avancuar i të drejtave të pakicave ekziston në Republikën e Kosovës tani, me Kushtetutën aktuale, me ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe me ligjet e tjera të cilat ne i kemi miratuar si rezultat i marrëveshjeve të dialogut.
Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiçi për momentin e ka qëllimi t’i kontrollojë dhe në njëfarë mënyre ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Pra Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve serbë, por përkundrazi merr më shumë të drejta nga poshtë dhe i dërgon ato lart, që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës, sipas të cilit për t’i fuqizuar komunitetet pakicë duhet të ketë më shumë sovranitet nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Asociacioni në fakt bën të kundërtën.
Edhe vet juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë deklaruar që ajo nuk është në përputhje me parimet e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ne e kemi dhënë premtimin dhe Kosova është shtet serioz. Kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar, duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është në kuadër të një procesi dhe ai proces është Marrëveshja Bazike.
Në ç’rrethana do të bënit lëshime për të filluar të paktën procesin e themelimit të Asociacionit, që mund të ishte për shembull, çuarja në Gjykatë Kushtetuese? Jo nga ju, meqë ju nuk e keni kompetencë këtë…
Vjosa Osmani: Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje.
Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje.
Nuk i kanë ofruar partnerët këto?
Vjosa Osmani: Deri tani kanë qenë më shumë ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta. Përfundojeni ju fillimisht e pastaj bisedojmë.’ Mendoj që ka ardhur koha që ne të kemi një plan të përbashkët me aleatët tanë dhe kur them me aleatët këtu duhet roli drejtues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse siç dëshmon historia jonë, vetëm atëherë në rajonin tonë ka pasur sukses që çon drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pra të ulemi bashkë me partnerët tanë, ne e bëjmë këtë, pastaj i marrim nga ana e partnerëve tanë garancitë për siguri, pasi duhet të sigurohemi që ajo çfarë po ndodh në Bosnjë, asnjëherë të mos ndodhë në Kosovë.
Sepse kjo jo vetëm që nuk është në intereset të qytetarëve tanë, pavarësisht cilës etni, por as nuk është në interest të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë.
Zonja presidente ju e dini që vizita juaj këtu në Uashington është ndër të rrallat të zyrtarëve të lartë nga Kosova, për shkak të marrëdhënieve tejet problematike mes Kosovës dhe Uashingtont. Cili është mendimi juaj? A janë ato në pikën më të ulët sot?
Vjosa Osmani: Në Kushtetuën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jatshme. Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Western Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidetët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.
Në asnjë mënyrë unë nuk do të thoja që po injorohet Kosova, në fakt nuk ka asnjë shtet të rajonit që është më prezent sesa Kosova, qoftë në Uashington qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia jemi shteti më aktiv me punët tona, natyrisht me raportet tona, me shtetet veç e veç.
Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht.
Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA.
Zonja presidente pas disa muajsh këtu në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrave, kjo parë në raport me qëndrimet e zotit Trump ndaj NATO-s, skepticizmit ndaj aleancës. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt?
Vjosa Osmani: Si presidente e Republikës së Kosovës nuk më takon mua të komentoj qëndrimet e kandidatëve për zgjedhjet këtu në SHA. Ajo që dua të them është se cili është qëndrimi i Republikës së Kosovës sa i takon NATO-s. NATO është aleancë që ka shpëtuar Kosovën nga shfarosja, NATO është aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit. Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Sa më shumë NATO, sa më shumë prezencë e NATO-s edhe në rajonin tonë, sa më shumë shtete në NATO, aq më paqësore dhe prosperuese do të jetë bota mbarë.