×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani paraqet prioritetet e kryesimit maqedonas të OSBE-së

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 15:58

    Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke prezantuar prioritetet e kryesimit të Maqedonisë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2023, deklaroi se vendet e vogla rrallë e kanë një mundësi të tillë për t’u paraqitur në skenën e madhe.

    “Kjo është një mundësi e shkëlqyer për Maqedoninë e Veriut në një kohë kur rajoni i OSBE-së po përballet me një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë”, tha Osmani.

    Ai theksoi se ky është projekt me rëndësi kombëtare dhe njohje e përpjekjeve reformuese në vend dhe e politikës së jashtme proaktive, si një aktor i besueshëm dhe i përgjegjshëm në rajon dhe më gjerë.

    “Kjo u konfirmua edhe në Këshillin e Ministrave në Tiranë në vitin 2020, kur me konsensus, me mbështetjen e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, na u besua mandati për të qenë në krye të asaj organizate në vitin 2023”, tha Osmani.

    Sipas tij, qëllimi i kryesimit të OSBE-së është të inicojë proces me fokus njerëzit, qytetarët e vendeve pjesëmarrëse, veçanërisht ata që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.

    Shefi i delegacionit të Kuvendit në OSBE, deputeti Igor Janushev, tha se kryesimi është një angazhim serioz, “zbatimi i suksesshëm i të cilit paraqet interes të përbashkët”.

    “Ka bashkëpunim të frytshëm ndërmjet parlamentit tonë dhe misionit të OSBE-së në Shkup, me qëllim të forcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik, si dhe promovimit të aktiviteteve gjinore”, tha Janushev.

    Që nga 1 janari, Maqedonia e Veriut i bashkohet treshes së kryetarëve të OSBE-së, së bashku me Suedinë dhe Poloninë./RFE/Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!